Tiranë, 10 nëntor, Zhurnal.mk – Ambasadorja e Bashkimit Europian në vendin tonë, Sofia Moreira de Sousa, zhvilloi sot një takim me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
Në fokus të takimit ishte ecuria e reformës zgjedhore, afati i ngushtë kohor i punës së Komisionit, si dhe përcaktimi i prioriteteve dhe përfshirja e të gjitha palëve në proces.
Moreira de Sousa theksoi se “cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme, sa edhe koha kur ajo realizohet”.
“Zhvillova takimin tim të parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi. Diskutuam për afatin shumë të ngushtë kohor brenda të cilit duhet të punojë Komisioni, si dhe për çështje që lidhen me fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës”, nënvizoi ajo.
Ambasadorja theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, teksa u shpreh se me vullnet politik dhe dialog të sinqertë mes palëve mund të arrihen rezultate konkrete.
“Reforma zgjedhore ka të bëjë me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve. Ajo është gjithashtu pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë qenë prej kohësh të qarta dhe puna e përbashkët e kryer deri më tani duhet të japë rezultate konkrete. Me vullnet politik dhe dialog të sinqertë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme”, shkruan ajo.

