Madrid, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Punonjës në mbarë Spanjën kanë zhvilluar një grevë të përgjithshme në shenjë proteste kundër krizës së strehimit, ndërsa në disa zona të vendit janë regjistruar përplasje mes protestuesve, drejtuesve të automjeteve dhe policisë.
Bllokimet e rrugëve kanë shkaktuar ndërprerje të qarkullimit, veçanërisht në Katalonjë dhe Madrid, duke penguar shumë qytetarë të mbërrijnë në vendet e tyre të punës.
Greva ka prekur kryesisht prodhuesit e mëdhenj të automjeteve, përfshirë fabrikat e ”Volkswagen” në Pamplona, tregjet me shumicë dhe portet tregtare, si ai i Algecirasit.
Sipas transmetuesit publik RTVE, policia ka ndaluar të paktën 23 persona në protesta të ndryshme gjatë orëve të mëngjesit. Sindikatat kanë akuzuar autoritetet për përdorim të tepruar të forcës.
Greva është thirrur nga dy konfederatat më të mëdha sindikale të vendit, CCOO dhe UGT, dhe zhvillohet rreth dy javë e gjysmë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 29 nëntorit, të shpallura nga kryeministri Pedro Sánchez.
Qeveria ka shprehur mbështetje për grevën, ndërsa partitë opozitare e kanë kritikuar atë, duke e cilësuar si të motivuar politikisht. Kjo është greva e parë e përgjithshme njëditore në Spanjë në 14 vitet e fundit.
Protestat u nxitën nga rritja e vazhdueshme e qirave dhe mungesa e banesave me çmime të përballueshme. Ato morën një përmasë më të madhe pas dëbimit nga banesa, në shtator, të 87-vjeçares Maricarmen Abascal në Madrid.
Abascal kishte jetuar në të njëjtën banesë me qira për rreth 70 vjet dhe ndërroi jetë në spital disa ditë pas dëbimit. Rasti i saj është kthyer në simbol të krizës së strehimit në Spanjë.
Kostot e strehimit në vend janë rritur prej vitesh me ritme më të shpejta se pagat reale, ndërsa ndërtimi i banesave të reja nuk ka përmbushur kërkesën në rritje, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi çmimet.
Sindikatat pretendojnë se pjesëmarrja në grevë gjatë orëve të para ka qenë nga 40% deri në 80%, në varësi të sektorit, ndërsa konfederata e punëdhënësve CEOE ka raportuar shifra më të ulëta.

