Shkup, 11 nëntor Zhurnal.mk – Tregu i patundshmërive në tremujorin e tretë të këtij viti ka shënuar aktivitet të zvogëluar, veçanërisht në shitblerjen e banesave, ndërsa interesi për qiradhënie ka shënuar rritje të konsiderueshme. Numri i banesave të shitura është ulur për 14 për qind në krahasim me tremujorin paraprak, ndërsa numri i banesave të dhëna me qira është rritur për plot 45 për qind, tregojnë të dhënat më të fundit të Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive.
Sipas Raportit për Regjistrin e Çmimeve dhe Qirave, gjatë periudhës nga korriku deri në shtator janë regjistruar 7.679 transaksione me patundshmëri, që paraqet ulje prej 8,2 për qind krahasuar me tremujorin e dytë. Rënia më e madhe është vërejtur te shitblerjet, numri i të cilave është zvogëluar për 12,1 për qind. Në të kundërtën, numri i kontratave të lidhura për qiradhënie është rritur për 2,8 për qind.
Numri më i madh i transaksioneve të shitblerjes është regjistruar në komunën Qendër, gjithsej 562, që është për dy për qind më pak krahasuar me tremujorin paraprak.
Është zvogëluar edhe vlera e përgjithshme e transaksioneve, e cila në tremujorin e tretë ka arritur në 339 milionë euro, përkatësisht 3,6 për qind më pak se në tremujorin e dytë. Nga kjo shumë, 337,8 milionë euro kanë të bëjnë me shitblerjen e patundshmërive, ndërsa vlera e regjistruar e qirave ka arritur në 1,1 milion euro.
Te shitblerjet është regjistruar rënie e vlerës financiare prej 3,6 për qind, ndërsa te qiratë kjo vlerë është zvogëluar për 10,2 për qind, pavarësisht rritjes së numrit të banesave të dhëna me qira.
Sa u përket çmimeve, çmimi më i lartë për metër katror ka arritur në 3.121 euro dhe është realizuar në komunën Karposh. Për një banesë prej 41 metrash katrorë, blerësi ka paguar 128.000 euro. Ndërkaq, banesa më e shtrenjtë e shitur nga investitori kishte sipërfaqe prej 63 metrash katrorë, ndërsa çmimi i saj ka arritur në rreth 200.000 euro.
Në segmentin e qiradhënies, numri i banesave të dhëna me qira është rritur për 45 për qind, ndërsa shuma e përgjithshme mujore e qirave është rritur për 31 për qind krahasuar me tremujorin paraprak.
Nga Agjencia për Kadastër të Patundshmërive vlerësojnë se tregu po shfaq lëvizje të ndryshme në të dy segmentet: aktivitet të zvogëluar në shitblerje dhe rritje të moderuar të numrit të kontratave të qirasë, por njëkohësisht ulje të shumës së përgjithshme mujore të qirave.

