Balla: 7 mijë familje, mbështetje financiare për strehim social

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 nëntor, Zhurnal.mk – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, prezantoi në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 22/2018 ‘Për strehimin social’”, të ndryshuar, duke theksuar nevojën për zgjerimin e instrumenteve të mbështetjes për familjet që kanë vështirësi në sigurimin e një banese.

Gjatë prezantimit, Balla u shpreh se strehimi duhet trajtuar jo vetëm si çështje e tregut të pasurive të paluajtshme, por edhe si një çështje sociale, ekonomike dhe demografike.

Ai kërkoi edhe mbështetjen e opozitës për nismën, duke theksuar se ndryshimet synojnë t’u përgjigjen nevojave të familjeve në vështirësi, çifteve të reja dhe grupeve vulnerabël.

“Do të dëshiroja shumë që edhe kolegët e opozitës jo vetëm të ishin të pranishëm, por edhe ta mbështesnin me votë këtë ligj, i cili sjell një mbështetje të rëndësishme për një sektor dhe një nevojë shumë të madhe të shoqërisë sonë, siç është strehimi social”, tha Balla.

Ai solli në vëmendje vështirësitë që hasin familjet për të përfituar nga skemat e strehimit, duke përmendur edhe rastin e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët, pavarësisht mundësisë për të përfituar kredi të subvencionuara, përballeshin me vështirësi për të siguruar një banesë.

Balla përmendi gjithashtu familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, për të cilat procesi i sigurimit të banesave nuk është përmbyllur plotësisht.

Sipas tij, propozimet synojnë të krijojnë mundësi për përdorimin e fondeve të vëna në dispozicion të bashkive, por që nuk janë shfrytëzuar.

Projektligji parashikon gjashtë instrumente kryesore të strehimit social: banesa sociale me qira; banesa me kosto të ulët, të mbështetura përmes kredive të subvencionuara; përmirësimin e banesave ekzistuese për grupet vulnerabël; ndërhyrje infrastrukturore në zonat informale; banesa të përkohshme për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore; si dhe banesa të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.

Sa i përket financimit, Balla theksoi se krahas fondeve buxhetore duhet të përfshihen edhe kontributet e sektorit privat, tarifat e përcaktuara në legjislacionin për ndërtimin, financimet europiane dhe burime të tjera të mundshme.

“Në këtë model, shteti nuk është vetëm subvencionues, por mund të jetë edhe zhvillues dhe investues në tregun e banesave”, u shpreh ai.

Një tjetër element i prezantuar ishte formula e propozuar për ndarjen e banesave, me 30% për strehimin social, 20% për strehimin e përballueshëm dhe 30% për shitjen në tregun e lirë.

Sipas Ballës, kjo skemë synon që të ardhurat nga shitja e një pjese të banesave të riinvestohen në projekte të tjera strehimi, duke zgjeruar ofertën dhe shmangur krijimin e zonave të izoluara vetëm për familjet me të ardhura të ulëta.

Balla bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2027 janë parashikuar 1 miliard e 250 milionë lekë për mbështetjen e familjeve dhe investimet në këtë sektor.

Në kuadër të programit të ri të strehimit, ai prezantoi edhe objektivin për të mbështetur 7 mijë familje përmes tri skemave: 2 mijë kredi me interes zero, 2 mijë kredi me interes 3% dhe subvencionimin e 50% të qirasë për 3 mijë familje.

“Në total, 2 000 kredi me interes zero, 2 000 kredi me interes 3% dhe 3 000 familje që përfitojnë subvencionimin e qirasë. Në këtë mënyrë, 7 000 familje të reja do të mbështeten përmes këtyre programeve”, deklaroi Balla.

Gjatë prezantimit, ai kërkoi gjithashtu miratimin e një amendamenti që parashikon përdorimin e kontributeve të sektorit privat dhe të fondeve për strehimin dhe kohezionin social për ndërhyrje dhe programe të lidhura me procesin e rindërtimit.

Sipas propozimit, financimi do të kryhet në përputhje me të ardhurat e disponueshme të Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social, duke garantuar përmbushjen e detyrimeve financiare dhe respektimin e legjislacionit buxhetor. Masat, projektet që do të financohen, si dhe kriteret dhe procedurat për përdorimin e fondeve do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, pas miratimit paraprak nga Bordi për Strehimin Social dhe Strehimin e Përballueshëm.

Amendamenti parashikon gjithashtu që individët dhe familjet përfituese nga procesi i rindërtimit të mund të aplikojnë për këto skema, duke shmangur mbivendosjen e financimit dhe përfitimin e dyfishtë për të njëjtin qëllim.

Balla theksoi se ndryshimi synon t’u japë bashkive të prekura nga tërmeti mundësinë që fondet e përfituara nga proceset ndërtimore në territorin e tyre t’i përdorin për nevoja të strehimit social dhe të rindërtimit.

Balla kërkoi mbështetjen e anëtarëve të komisionit për projektligjin dhe amendamentin e paraqitur.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër