Thaçi: Ligjin për përdorimin e gjuhëve do ta marr seriozisht kur të ketë plan financiar, nevojiten 470 milionë euro

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 14 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, ka folur për çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke u ndalur edhe te zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve, transmeton Zhurnal.mk.

Thaçi tha se zbatimin e ligjit do ta konsiderojë serioz vetëm atëherë kur për të ekzistojë një plan i qartë financiar i përgatitur nga Ministria e Financave.

“Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, për mua, do të jetë serioz atëherë kur ta shoh planin financiar për realizimin e tij nga ana e Ministrisë së Financave”, deklaroi Thaçi.

Sipas tij, për implementimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nevojiten rreth 470 milionë euro.

Thaçi theksoi se kjo shumë, sipas analizave të ekspertëve të PDSH-së, do të mbulonte një sërë nevojash që lidhen me zbatimin praktik të ligjit, përfshirë përgatitjen dhe shkollimin e kuadrove, organizimin e seminareve, diplomat, vulat dhe nevojat e tjera administrative.

“Sipas analizave të bëra nga ekspertët e PDSH-së, nevojiten 470 milionë euro për implementimin e këtij ligji. Kjo përfshin përgatitjen dhe shkollimin e kuadrove, seminaret, diplomat, vulat dhe të gjitha nevojat e tjera për personat që janë të përgatitur”, tha ai.

Kryetari i PDSH-së u ndal edhe te mënyra se si duhet të zbatohet përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike, duke kërkuar që shërbimet për qytetarët të jenë funksionale në të dyja gjuhët.

“Dhe po e përmbyll: duhet që edhe sporteli të funksionojë në dy gjuhë. Jo që unë, si shqiptar, të flas në dy gjuhë”, deklaroi Thaçi.

Deklaratat e Thaçit vijnë në kuadër të debatit për zbatimin praktik të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe çështjen e garantimit të shërbimeve institucionale në gjuhën shqipe, përfshirë edhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës në këtë gjuhë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër