Gashi: Jemi të angazhuar për një marrëveshje rreth Ligjit për Përfaqësim të Drejtë

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 nëntor, Zhurnal.mk – Edhe pesë muaj pas shtyrjes së votimit, ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ende nuk është rikthyer në procedurë parlamentare. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka deklaruar se deri më tani nuk është arritur konsensus mes deputetëve për votimin e tij me shumicën e Badenterit.

Gashi bëri të ditur se për këtë çështje po zhvillohen përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa ligji do të vendoset në rend dite sapo të krijohen kushtet e nevojshme.

Propozimi ligjor synon të plotësojë zbrazëtirën juridike të krijuar pas shfuqizimit të mekanizmit të balancuesit, duke vendosur një kornizë të re për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucionet publike.

Edhe pse projektligji i ka votat e nevojshme në kuadër të shumicës parlamentare, ai përballet me kundërshtimin e opozitës. Mungesa e mbështetjes për votimin me Badenter ka bërë që procedura të mbetet e bllokuar.

Ndërkohë, kjo situatë nuk prek vetëm ligjin për përfaqësim të drejtë. Në Kuvend kanë mbetur të bllokuara edhe projektligji për vetëqeverisje lokale, ai për arsimin e lartë, si dhe disa ligje të tjera që lidhen me fushën e arsimit, për të cilat kërkohet mbështetja sipas parimit të Badenterit.

Përderisa nuk ka marrëveshje mes grupeve parlamentare, mbetet e paqartë se kur këto çështje do të rikthehen në procedurë dhe do të marrin epilog në Kuvend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër