Balla: Dezinformimi rus po përdoret për të ndërhyrë në demokracinë shqiptare, BE sanksionon bashkëpunëtorin e Russia Today

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 17 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas vendimit të Bashkimit Europian për vendosjen e sanksioneve ndaj Chay Bowes, të cilin e cilëson si bashkëpunëtor të Russia Today.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla shkruan se skema ruse e dezinformimit në Europë dhe në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Ai sjell në vëmendje aktivitetin e Bowes në rrjetet sociale, ku ky i fundit kishte shpërndarë pamje nga protesta e studentëve në Shqipëri.

Sipas Ballës, sanksionimi i tij nga BE-ja, në kuadër të masave kundër rrjeteve të dezinformimit dhe operacioneve të ndikimit të lidhura me Rusinë, dëshmon rëndësinë e luftës kundër manipulimit të informacionit.

“Liria e medias nuk mund të përdoret si mbulesë për operacione të koordinuara të manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjes në hapësirën demokratike europiane. Mbrojtja e demokracisë kërkon transparencë dhe përgjegjësi”, thekson Balla.

Vendimi i Këshillit të BE-së, i datës 16 nëntor 2026, përfshin Chay Bowes mes personave të sanksionuar për përfshirje në manipulimin e informacionit dhe përhapjen e narrativave që, sipas vlerësimit të BE-së, legjitimojnë dhe mbështesin agresionin rus kundër Ukrainës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër