Tiranë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) pranoi pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për caktim mase disiplinore ndaj magjistrates S.Q., prokurore pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, duke i caktuar masën “Vërejtje publike”, ndërsa ILD kishte propozuar masë “Ulja e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit”
Kërkesa e ILD erdhi pas një hetimi disiplinor të nisur kryesisht e që evidentoi shkelje të prokurores në zbatimin e legjislacionit procedural penal.
Sipas raportit të ILD prokurorja kishte refuzuar t’i përcillte Gjykatës së Apelit informacionin e kërkuar, duke e argumentuar me ruajtjen e sekretit hetimor. Gjykata e vlerësoi këtë qëndrim si zbatim i gabuar i legjislacionit procedural penal, që ndikoi në shqyrtimin e masës së sigurimit dhe kufizoi kështu mundësinë e gjykatës për të shqyrtuar plotësisht ankimin në një çështje që lidhej me të drejtën e individit për liri.
ILD vlerësoi se prokurorja kishte vijuar me të njëjtin qëndrim, pavarësisht njohurive dhe përvojës së saj profesionale. Sipas Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kjo sjellje e vullnetshme përbën shkelje të rëndë disiplinore, që dëmton imazhin e sistemit të drejtësisë, besimin e publikut dhe rrezikon të krijojë precedent negativ edhe për magjistratë të tjerë, duke nxitur përsëritjen e praktikave të papërshtatshme në raste të ngjashme.
Si konkluzion, ILD i propozoi KLP-së uljen e përkohshme të pagës deri në 40 për qind, për një periudhë deri në një vit ndaj prokurores S.Q.. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi kërkesën pjesërisht, duke i caktuar masë tjetër, atë të “Vërejtjes publike”.

