Prishtinë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Kuvendi i Kosovës do të ketë një agjendë të ngjeshur të punimeve gjatë ditës së sotme, ku shtatë komisione parlamentare do të zhvillojnë mbledhje për çështje të ndryshme, që nga hetimi i vrasjes së Arlinda Zekajt, përzgjedhja e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, deri te mbikëqyrja e financave publike dhe çështjet e sigurisë.
Aktivitetet nisin në orën 08:30, me mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të diskutojë për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt. Mbledhja do të mbahet në sallën N-10, shkruan IndeksOnline.
Para Komisionit pritet të paraqiten Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale (QPS) në Pejë; Durim Kelmendi, udhëheqës në QPS; Shpat Morina, zyrtar i kësaj qendre; Shpresa Lukaj, drejtuese e QPS-së në Pejë; si dhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Në orën 09:30, Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese do të organizojë testimin me shkrim të kandidatëve për gjyqtarë të kësaj gjykate, në sallën N-506.
Ndërkaq, në orën 10:00, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike do të shqyrtojë Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina” për vitin 2025. Në këtë mbledhje janë ftuar kryeshefi ekzekutiv dhe kryesuesi i bordit.
Në orën 11:00 janë paraparë tri aktivitete të komisioneve parlamentare.
Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes do të presë në takim gjeneral brigade Thomas Schulte-Borghoff, drejtor i NALT-it në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë do të zhvillojë takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Po ashtu, Komisioni për Buxhet do të shqyrtojë raportin vjetor financiar të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2025.
Aktiviteti i fundit i paraparë në agjendën e ditës do të mbahet në orën 13:00. Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione do të diskutojë për formimin e Panelit Përzgjedhës, i cili do të shqyrtojë aplikacionet dhe do të intervistojë kandidatët për pozitën e Avokatit të Popullit.

