Berisha: Ftoj të gjithë faktorët opozitarë që të bashkohemi kundër Ramës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë sërish thirrje faktorëve opozitarë për bashkim kundër qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se ftesa e tij mbetet e hapur për të gjitha forcat politike që e konsiderojnë kryeministrin si të keqen më të madhe për vendin.

“Unë kam durim. Prapë i ftoj të gjithë faktorët opozitarë që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe. Bashkohemi siç jemi kundër një armiku që është më i rrezikshmi sot për kombin dhe për vendin”, u shpreh ai.

“Protestat e përditshme shprehin shpirtin e revoltës të atyre qytetarëve, por rëndësi kryesore ka të krijohet një front i gjerë i fuqishëm dhe kjo kërkon një bashkërendim të gjithë faktorëve opozitarë”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se bashkimi nuk kërkon që partitë opozitare të heqin dorë nga qëndrimet apo platformat e tyre politike. Sipas tij, forcat opozitare mund të ruajnë identitetin dhe bindjet e tyre, ndërsa të bashkërendojnë veprimet kundër qeverisë.

Berisha u ndal edhe te reforma zgjedhore, duke deklaruar se Partia Demokratike zotohet për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe krijimin e një kuadri të ri zgjedhor. Ai bëri të ditur se PD ka kërkuar përfshirjen e ekspertëve të ODIHR-it në këtë proces.

Ai iu referua edhe draftit të përgatitur nga ODIHR-it për ndarjen e partisë nga shteti, duke e cilësuar këtë si një çështje thelbësore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Por ne kemi përgatitur një kuadër, i cili shpreh në tërësi kërkesat e të gjithë spektrit opozitar aktual.  Kërkesat e forcave politike, kërkesa të aleatëve tanë, kërkesa të paraqitura në protesta.  Pra, ne zotohemi për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe një kuadër të ri zgjedhor. ODIHR ka një material shumë të mirë për ndarjen e partisë nga shteti”, u shpreh Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha theksoi se opozita duhet të ndërtojë një front të gjerë dhe të koordinojë qëndrimet e saj, duke e vendosur bashkimin kundër Edi Ramës si prioritet të përbashkët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër