Tiranë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Prefektura e Qarkut Shkodër, bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, Shërbimit Meteorologjik Ushtarak dhe informacionit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, bën me dije se ditën e sotme dhe të nesërme parashikohen reshje shiu intensive.
Sipas njoftimit, reshjet mund të shkaktojnë grumbullime uji dhe përmbytje të lokalizuara, veçanërisht në zonat me risk, si dhe vërshime të përrenjve dhe rrëshqitje dherash në zonat malore.
Institucioni i Prefektit, në bashkëpunim me AKMC-në, bashkitë dhe institucionet përgjegjëse, po vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e masave parandaluese, me fokus zonat me rrezik të shtuar dhe gatishmërinë e strukturave për ndërhyrje në rast nevoje.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, të shmangin kalimin në akset dhe zonat e ekspozuara ndaj vërshimeve, si dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të institucioneve përgjegjëse.

