Shkup, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Sefer Selimi thekson se shqiptarët nuk merren me problemet e Grubit dhe se ai nuk mund ta diktojë më politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut përmes përçarjes së BDI-së. Ai i referohet edhe periudhës kur BDI-ja ishte në pushtet, duke e kritikuar Grubin se, sipas tij, në vend që të merrej me problemet e shqiptarëve, merrej me çështje të tjera, shkruan Plusinfo, transmeton Zhurnal.
Tensionet dhe përplasjet e brendshme në BDI gjithnjë e më shpesh po dalin edhe në publik. Kësaj radhe, debati u zhvendos në rrjetet sociale, ku analisti Sefer Selimi kritikoi publikisht Artan Grubin, pas së cilës reagoi Artin Spahiu, bashkëpunëtor i afërt i ish-zëvendëskryeministrit të parë.
Selimi, i cili prej vitesh njihet për qëndrimet e tij në mbështetje të politikave të BDI-së dhe afërsinë me nënkryetarin aktual të partisë, Bujar Osmanin, deklaroi se problemet e Artan Grubit me organet e drejtësisë janë probleme të tij personale dhe se nuk duhet të paraqiten si probleme të shqiptarëve.
Në statusin e tij, Selimi thekson se shqiptarët nuk merren me problemet e Grubit dhe se ai nuk mund ta diktojë më politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut përmes përçarjes së BDI-së. Ai i referohet edhe periudhës kur BDI-ja ishte në pushtet, duke e kritikuar Grubin se, sipas tij, në vend që të merrej me problemet e shqiptarëve, merrej me çështje të tjera.
Ky qëndrim i Selimit vjen në një periudhë kur në BDI gjithnjë e më shpesh spekulohet për përplasje brendapartiake rreth ndikimit dhe drejtimit të partisë. Njëkohësisht, afërsia e tij me Bujar Osmanin hap hapësirë që kjo deklaratë të interpretohet edhe përmes prizmit të marrëdhënieve mes Osmanit dhe Grubit.
Ndaj statusit të Selimit reagoi Artin Spahiu, i cili e akuzoi analistin se kishte rënë në kurthin e, siç i quan ai, shpifjeve dhe konstrukteve politike të drejtuara kundër Artan Grubit. Spahiu pretendon se një pjesë e njerëzve në BDI, në bashkëpunim me VLEN-in, po përpiqen ta paraqesin Grubin si fajtor për përçarjen e mundshme të partisë.
Në reagimin e tij, Spahiu drejtoi akuza edhe ndaj figurave të tjera në BDI, duke pretenduar se pikërisht fraksionet, largimet dhe interesat personale të individëve të caktuar e kanë dëmtuar partinë. Ai doli në mbrojtje të Grubit, duke vlerësuar se edhe nga pozicioni i tij aktual, ai punon për BDI-në më shumë sesa një pjesë e mirë e udhëheqjes aktuale të partisë.
Spahiu shkon edhe një hap më tej, duke akuzuar një pjesë të drejtuesve partiakë se shqetësimi i tyre i vërtetë nuk është përçarja e BDI-së, por ruajtja e pozicioneve dhe ndikimit të tyre në parti. Sipas tij, Grubi paraqitet si „kurban” për të fshehur përgjegjësitë e të tjerëve.
Përplasja mes këtyre dy qëndrimeve nxjerr në sipërfaqe një ndarje të mundshme brenda BDI-së. Nga njëra anë janë ata që angazhohen për distancim nga Artan Grubi, ndërsa nga ana tjetër janë njerëzit që vazhdojnë ta mbrojnë publikisht.
Në prapavijën e këtij debati përmendet edhe rivaliteti i mundshëm mes Artan Grubit dhe Bujar Osmanit, dy figura që kanë pasur ndikim të konsiderueshëm në BDI.
Një gjë është e qartë debati se kush e ka dobësuar BDI-në, kush po përpiqet ta përçajë dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen aktuale në parti po bëhet gjithnjë e më i hapur, ndërsa përplasjet mes njerëzve të afërt me dy figurat politike kërcënojnë t’i thellojnë edhe më tej ndarjet në parti.

