Shkelje e barazisë në tendera, GJKKO dënon me burg ish-kryebashkiakun e Memaliajt Gjolek Guci

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi me burgim ish-kryetarin e bashkisë Memaliaj, Gjolek Gucin si dhe Edmonda Harizin, ish-nënkryetare e bashkisë Memaliaj, të akuzuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Vendimi u mor sot nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Flora Hajredinaj, Etleva Deda dhe Engjëllushe Tahiri, të cilët vendosën deklarimin fajtor të të dy të pandehurve.

Gjolek Guci u dënua fillimisht me 2 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu reduktua dhe përfundimisht u caktua në 1 vit e 4 muaj burgim.

Ndërsa ish-nënkryetarja e bashkisë, Edmonda Harizi u dënua fillimisht me 1 vit burgim. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj u reduktua në 8 muaj burgim.

Gjykata vendosi gjithashtu heqjen e së drejtës për të dy të dënuarit për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Vendimi i GJKKO-së mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër