Tiranë, 18 nëntor, Zhurnal.mk – Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon rritje pagash për punonjësit e Policisë së Shtetit. Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Kuvend, tha se për sektorin e sigurisë dhe rendit publik është parashikuar një financim prej 36.7 miliardë lekësh, nga të cilat 3.3 miliardë lekë do të përdoren për rritjen e pagave të efektivëve të policisë.
Nga kjo masë do të përfitojnë 8,500 punonjës me gradën inspektor, të cilëve do t’u rritet paga bazë me 20,000 lekë.
Ndërkohë, për kategoritë e tjera të punonjësve të Policisë së Shtetit parashikohet shtesë page nga 10,000 deri në 15,000 lekë, në varësi të gradës.
“Siguria dhe rendi mbeten gjithashtu pjesë e rëndësishme e prioriteteve tona. Për këtë arsye, Projektbuxheti 2027 siguron fondet e nevojshme për forcimin e këtyre sektorëve, si dhe mbështetje shtesë për punonjësit e Policisë së Shtetit.
“Financimi parashikohet në masën 36.7 miliardë lekë, ku 3,3 miliardë lekë shtesë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Përfitojnë 8,500 punonjës, me gradën inspektor, të cilëve u rritet paga bazë me 20,000 lekë. Kategoritë e tjera përfitojnë shtesë page nga 10,000 lekë deri në 15,000 lekë në varësi të gradave”, tha ai.
Sipas tij, krahas forcimit të kapaciteteve institucionale, rritja e pagave është pjesë e angazhimit për të mbështetur punonjësit që kontribuojnë çdo ditë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

