Vajza e këngëtares së famshme Mariah Carey dhe ish-bashkëshortit të saj, Nick Cannon, ka bërë një deklaratë të papritur për marrëdhënien e prindërve.
Monroe Cannon, 15 vjeçe, ka ndarë mendimin e saj gjatë një bisede me të atin, në pamjet e publikuara nga reality show i tij i ri, “Raising the Cannons”, i cili do të transmetohet në Netflix.
“Po të mos i kishe gjithë këta fëmijë, ti dhe mami do të ishit ribashkuar”, i është drejtuar Monroe babait të saj, ndërsa të dy ndodheshin në makinë. Deklarata vjen pasi Nick Cannon, i cili është baba i 12 fëmijëve me gjashtë gra të ndryshme, ka folur hapur për jetën e tij familjare dhe marrëdhënien e dikurshme me Mariah Carey.
Në videon promovuese të emisionit, prezantuesi dhe aktori 46-vjeçar pranon se egoja e tij kishte ndikuar në largimin nga këngëtarja. Ndërkohë, edhe djali i tyre, Moroccan, ka shprehur mendimin se mënyra e jetesës së babait nuk është e qëndrueshme.
Kujtojmë se Mariah Carey dhe Nick Cannon u martuan në vitin 2008 dhe u ndanë në vitin 2014, ndërsa divorci i tyre u finalizua dy vite më vonë. Nga martesa e tyre erdhën në jetë binjakët Monroe dhe Moroccan.
Pavarësisht ndarjes, dyshja ka ruajtur marrëdhënie të mira për hir të fëmijëve. Ndërkohë, deklaratat e fundit të binjakëve kanë rikthyer në vëmendje historinë e tyre familjare dhe raportin e dikurshëm të çiftit.

