Tiranë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Në kuadër të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional 2026 deri më tani janë trajnuar 20 300 mësues.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se në bashkëpunim me Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar dhe 9 universitetet publike do të vijojmë të mbështesim zhvillimin profesional të mësuesve dhe rritjen e cilësisë në arsim edhe përmes buxhetit të ri të vitit 2027, ku Ministria e Arsimit do të financojë trajnimin e mësuesve me metodat bashkëkohore të mësimdhënies.
Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional synon të mbështesë mësuesit përmes trajnimeve dhe zhvillimit të vazhdueshëm të kompetencave profesionale, duke e konsideruar forcimin e rolit të tyre një element të rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit.
Pedagogët dhe profesorët me ekspertizën e tyre po japin një mbështetje të vazhdueshme dhe të personalizuar për mësuesit, duke garantuar një zhvillim profesional cilësor dhe të orientuar drejt praktikës.
Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve (PKZHPM) 2026–2028 është një përgjigje strategjike ndaj nevojave aktuale të sistemit arsimor, të identifikuara përmes analizave të thelluara të ndryshimeve kurrikulare, të rezultateve të analizës së nevojave të mësuesve dhe të sfidave që lidhen me zbatimin e programeve të rishikuara në të gjitha lëndët.
Ky program vendos në qendër rritjen profesionale të mësuesve si mjet për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe për forcimin e ndikimit të tyre në rezultatet e të nxënit të çdo nxënësi.
Përveç përmirësimit të njohurive dhe praktikave mësimore në fushat kurrikulare, zhvillimi profesional i mësuesve përfshin me prioritet edhe përdorimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për zhvillimin e praktikave shkollore, komponentët etikë, socialë dhe gjithëpërfshirës të profesionit të mësuesit. Integrimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në shkollë hap një horizont të ri mundësish për të nxitur suksesin e çdo nxënësi.

