Prishtinë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mungesa e unitetit të brendshëm dhe mospajtimet me Komunën e Prishtinës po e rrezikojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se bashkëpunimi dhe komunikimi me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë shumë i mirë, por se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për raportet me Komunën e Prishtinës, teksa u shpreh se vazhdon të jetë optimist për organizimin e lojërave, por me rezerva për shkak të mospajtimeve dhe mungesës së unitetit.
“Kemi pasur edhe një mbledhje të komitetit organizativ, këshillit organizativ për lojërat mesdhetare për vitin 2030, dhe natyrisht që aty jemi bashkë. Është për te ardhur keq që kur po përfundojnë mbledhjet, diskutimet shteruese që po mbahen aty, më pastaj po dalin në opinionin publik kush qysh votoi edhe me sulme të brendshme. Ne duhet të jemi unikë për këtë gjë dhe kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellur në këtë pikë kur edhe po rrezikohet organizimi i lojërave mesdhetare 2030. Unë vazhdoj të jem optimist, por natyrisht jam optimist i përmbajtur për shkak se kush bën mirë nuk e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën”, tha Kurti.
“Dhe në këtë aspekt, bashkëpunimi, komunikimi ynë me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë. Por kjo nuk mund të thuhet edhe me komunën e Prishtinës, prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë të nxehtë. Është fitore e madhe që ne e kemi marrë përgjegjësinë në organizimin e këtyre lojërave mesdhetare. 10 komunat e Kosovës bashkë edhe me një komunë në Shqipëri, përkatësisht Durrësin, dhe në anën tjetër planifikimet për investime libri me të cilin kemi aplikuar dhe kemi fituar duhet të zbatohet në plotësi. Këtu ka pasur dallime e mospajtime, ka edhe mosbesime. Kjo është situata në të cilën ndodhemi. Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, por do ta bëjmë me çdo kusht, pa korrupsion”, potencoi ai.

