Shkup, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Ministria e arsimit dhe shkencës po punon në reforma në të gjitha segmentet e arsimit. Të rinjtë duhet të përvetësojnë njohuri cilësore dhe të zbatueshme, por po aq e rëndësishme është që të zhvillojnë kreativitetin, inovacionin dhe të menduarit kritik, si dhe empatinë, parimet etike dhe kompetencat sociale, në mënyrë që të jenë të përgatitur për punë dhe jetë në kushtet e ndryshimeve të shpejta teknologjike dhe sfidave komplekse globale.
Këtë e theksoi ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, duke iu drejtuar të pranishmëve në Samitin Rajonal FjuçerEks 2026, duke shtuar se për botën e së nesërmes, e cila do të jetë ndryshe nga ajo e sotmja, është i domosdoshëm një sistem arsimor funksional që krijon dije dhe kompetenca.
„Vizioni ynë për një arsim të hapur ndaj së ardhmes fillon nga shkollat fillore. Po vendosim mësimin me një ndërrim dhe mësimin gjatë gjithë ditës, me qëllim që fëmijët të kenë më shumë kohë për hulumtime dhe aktivitete praktike. Nxënësit e sotëm të shkollave fillore janë ata që në dekadat e ardhshme do të marrin vendime profesionale, ekonomike, shkencore dhe shoqërore. Për t’i përgatitur ata, që në moshë të hershme duhet të zhvillojnë aftësi për të parashtruar pyetje, për të ndërlidhur informacione dhe për të identifikuar zgjidhje të ndryshme të mundshme. Gjatë kohës shtesë në shkollë, përmes aktiviteteve hulumtuese, projektuese, praktike, sportive dhe kreative, nxënësit do të mund të eksperimentojnë, të punojnë në ekipe, të zgjidhin probleme dhe t’i zbatojnë idetë e tyre në praktikë“, tha ministrja Janevska.
Në arsimin e mesëm profesional, veçanërisht përmes modelit dual, njohuritë teorike ndërlidhen me mjedisin real të punës. Partneriteti ndërmjet shkollave, punëdhënësve dhe vetëqeverisjeve lokale mundëson harmonizimin e shpejtë të programeve mësimore me kërkesat e kompanive për kuadro profesionale dhe të trajnuara, por edhe me sfidat e tranzicionit të gjelbër dhe digjital.
Janevska theksoi se nga ky vit shkollor, mbi 10.800 nxënës të vitit të parë të arsimit të mesëm profesional vijojnë mësimin sipas programeve mësimore të modernizuara, të cilat përfshijnë kompetencat STEM, shkathtësitë e gjelbra dhe digjitale në të gjitha profilet profesionale.
Trajnim kanë ndjekur 569 mësimdhënës, ndërsa është forcuar edhe bashkëpunimi me sektorin privat. Arsimi i mesëm profesional është një model i suksesshëm arsimor që zhvillon te nxënësit shkathtësi praktike dhe të transferueshme, të cilat u mundësojnë përshtatje më të lehtë ndaj teknologjive të reja. Parashikohet që ky model të vazhdojë edhe në arsimin e lartë, përmes integrimit të mësimdhënies akademike me trajnimin praktik në kompani.
„Në këtë mënyrë, studentët fitojnë mundësinë të përvetësojnë njohuri dhe shkathtësi profesionale, të cilat i vënë në provë, i përsosin dhe i thellojnë në kushte reale pune. Paralelisht me këtë, krijojmë kushte që universitetet dhe studentët të bëhen pjesëmarrës aktivë në Hapësirën Evropiane të Kërkimit dhe Inovacionit, përmes forcimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore, pjesëmarrjes në programet evropiane dhe partneriteteve akademike ndërkombëtare, si dhe përmes bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, institucioneve shkencore dhe sektorit të biznesit. Kjo është thelbësore për ndërtimin e një shoqërie të përgatitur për të ardhmen“, sqaroi ministrja Janevska. Me qëllim që punonjësit të fitojnë njohuri dhe shkathtësi të reja për të mbetur konkurrues në tregun e punës, po ndërtojmë një sistem të të mësuarit gjatë gjithë jetës, i cili, siç theksoi Janevska, mundëson trajnime, përsosje profesionale dhe rikualifikim, si përgjigje ndaj ndryshimeve në profesione dhe procese pune.
Samiti FjuçerEks 2026 organizohet nga Instituti i studimeve të komunikimit, duke përmbyllur programin arsimor për shkrim-lexim për të ardhmen, i zhvilluar në kuadër të projektit FjuçerLit, i mbështetur përmes programit Erasmus+.

