Çitaku: Javën e ardhshme do të nisim procedurat për projektligjin për mbështetjen e çlirimtarëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të nisë një nismë e re ligjore për mbështetjen e çlirimtarëve, duke u bazuar në tekstin e projektligjit që Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në dy lexime në tetor, raporton Ekonomia Online.

Çitaku ka thënë se me kryeministrin Albin Kurti janë pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe ndryshimet që duhet të bëhen, ndërsa dallimet kanë qenë rreth procedurës parlamentare.

Ajo ka kërkuar falje për vonesat dhe paqartësitë gjatë këtij procesi, duke u zotuar se nisma do të çohet deri në fund.

“Projektligji do të ketë për bazë tekstin që Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi në dy lexime në Kuvend në tetor. Mbi atë tekst do të bëjmë ndryshimet e nevojshme për ta bërë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht dhe për t’u dhënë çlirimtarëve tanë mbështetje konkrete shtetërore. Me zotin Kurti jemi pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhet bërë. Dallimet kanë qenë tek procedura parlamentare. Si rezultat, sot u pajtuam edhe për rrugën që do të ndjekim. Nismën e re ligjore menjëherë javën tjetër, me propozime tona konkrete dhe me propozimet e ekspertëve”, ka thënë ajo.

“Të nderuar përfaqësues të mediave, tani dua t’u drejtohem atyre që e kanë ndjekur këtë proces me shqetësim. I pranoj kritikat për mënyrën se si kemi ecur deri më sot. Në emër të bashkëpartiakëve të mi, u kërkoj ndjesë të gjithë atyre që për shkak të vonesave e paqartësive u shqetësuan sinqerisht se kjo nismë mund të mbetej përgjysmë. Sot ju jap zotimin tim se këtë proces do ta çojmë deri në fund. Projektligjin do ta hartojmë dhe do ta sjellim në Kuvend për votim, më të plotë, më të qëndrueshëm juridikisht, më të zbatueshëm praktikisht. Ndërkohë, grupi punues shtetëror do të vazhdojë punën për hartimin e strategjisë së mbrojtjes në Hagë. Uniteti i partive politike shqiptare rreth kësaj çështje ka peshë historike. Tani duhet ta dëshmojmë me punë të përbashkët në Kuvendin e Kosovës dhe me mbështetje konkrete për mbrojtjen e çlirimtarëve tanë në Hagë. Këtë ua kemi borxh atyre dhe familjeve të tyre. Këtë ja kemi borxh historisë së vendit tonë. Këtë ja kemi borxh të ardhmes”, ka shtuar Çitaku.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër