Konferenca e investimeve BE–Ballkani Perëndimor, në 25-26 nëntor në Tiranë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Tirana do të mirëpresë në 25 dhe 26 nëntor edicionin e dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor (EU–WB6 Investment Forum), takimin më të madh të 2026-s, ku vendet e rajonit ulen në një tryezë me investitorë, partnerë dhe institucione financiare europiane.

Motoja e konferencës ilustron qartë qëllimin e saj: Ballkani Perëndimor, kufiri i ri i investimeve europiane. Një rajon, në gjendje për të përthithur investime, ide, kapitale dhe mundësi si kurrë më parë.

Mes personaliteteve të nivelit të lartë do të jenë Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ish-Presidenti i Këshillit Evropian,  Charles Michel, si dhe përfaqësues të institucioneve evropiane dhe ndërkombëtare, politikëbërës, drejtues të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfshirë BERZH-in dhe Bankën Botërore, përfaqësues të fondeve të investimit, startup-eve dhe investitorë ndërkombëtarë, të cilët do të ndajnë perspektivat dhe përvojat e tyre mbi potencialin dhe mundësitë e reja të investimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Përgjatë dy ditëve, konferenca do të zhvillohet në kuadër të shtatë sesioneve tematike, të ndërlidhura nga një vizion i përbashkët strategjik: shndërrimi i interesit dhe potencialit ekonomik të rajonit në investime konkrete, të qëndrueshme dhe afatgjata, duke nxitur integrimin më të thellë ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun evropian dhe atë global.

Shqipëria e pret këtë konferencë me portofolin më të madh të investimeve në historinë e saj. Në vitin 2025, ekonomia shqiptare tërhoqi shifrën rekord prej 1.64 miliardë eurosh investime të huaja direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se për herë të parë, në 2026, vendi mund të kalojë kufirin e 2 miliardë eurove.

Konferenca nxit përshpejtimin e investimeve dhe mbështet rrugën e mëtejshme të integrimit europian, në prag të një viti kyç si 2027, kur synohet mbyllja e negociatave të të gjithë kapitujve.

Edicioni i dytë pason atë të vitit 2025, kur forumi i parë në Tiranë solli në tryezë marrëveshje dhe projekte me potencial mbi 4 miliardë euro, bashkë me zotimin se takimi do të kthehej në traditë vjetore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër