Pirdeni: Regjistër kombëtar për sponsorizimet, donacionet me rregulla të unifikuara për të garantuar transparencën

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 nëntor, Zhurnal.mk – Ministrja për Administratën Publike, Adea Pirdeni deklaroi sot se ligji i ri “Për donacionet dhe sponsorizimet” përcakton rregulla të qarta dhe transparente në lidhje me mënyrën se si ushtrohet kjo veprimtari ndaj autoriteteve publike.

E ftuar në komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Pirdeni prezantoi projektligjin “Për donacionet dhe sponsorizimet”, i cili sipas saj, mbështet fuqimisht sportin, artin dhe kulturën.

Pirdeni theksoi se ky është një ligj i ri kuadër për donacionet dhe për sponsorizimet, ndërsa ligji i mëparshëm i vitit 1994, nuk ka prodhuar ato efekte që duhej të prodhonte ndër dekada.

“Tashmë jemi në një moment të ndikuar dhe nga axhenda europiane e Shqipërisë, ku detyrimi për të avancuar legjislacionin në fushën e sponsorizimeve dhe donacioneve buron nga pozicioni negociues i Bashkimit Europian për kapitullin 23”, theksoi Pirdeni.

Ministrja theksoi se ky ligj incentivon shumë fuqishëm sektorin e artit, kulturës dhe të sportit, por ndikon po ashtu edhe në 10 sektorë të tjerë me interes për publikun, duke filluar nga mbrojtja sociale, kërkimi shkencor, demokracia, media e me radhë.

“Ky ligj adreson një aspekt shumë të rëndësishëm nga këndvështrimi i Brukselit që është normimi i veprimtarisë publike në lidhje me përfitimet që institucionet publike mund të kenë nga donacionet dhe nga sponsorizimet. Nevoja konkrete është ndërhyrja në lidhje me rrezikun që mund të kenë kontributet private për të krijuar ndonjë pritshmëri që lidhet me favorizime ose me një sjellje të papërshtatshme nga ana e administratës”, theksoi Pirdeni.

Në kuadër të detyrimeve që vendi ka në kuadër të negociatave, Pirdeni theksoi se “ligji synon të garantojë transparencën që çdo sponsorizim dhe çdo donacion ndaj një autoriteti publik të jetë i aksesueshëm për qytetarët, për organizatat e shoqërisë civile dhe për mediat”.

“Ligji parashikon që do të ketë një regjistër kombëtar për sponsorizimet. Ky regjistër do të mbahet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe në të do të evidentohet se kush përfiton sponsorizim. Çdo subjekt ose çdo qytetar do të informohet në lidhje me kontratën e sponsorizimit, vlerën e saj si dhe destinacionin e sponsorizimit”, theksoi Pirdeni.

Gjithashtu, Pirdeni theksoi se ligji parashikon rregulla të unifikuara për donacionet.

“Ndryshe nga sponsorizimet donacionet janë thjesht një kontribut financiar që bëhet ndaj institucioneve publike, por pa një avantazh. Pra, nuk ka përfitime fiskale në rastin e donacioneve. Ka thjesht një veprim të njëanshëm të një subjekti privat ndaj një institucioni publik. Dhe në këtë rast është parashikuar shpreimisht që do të kemi disa dalime specifike për të garantuar që institucionet publike të kryejë detyrën e tyre sipas ligjit”, bëri të ditur Pirdeni.

Ligji, sipas saj, parashikon shprehimisht që institucionet ligjzbatuese, përfshirë policinë, institucionet e drejtësisë, institucionet të cilat kanë funksione kontrolli në lidhje me prokurimet publike apo janë të angazhuara në fushën e parandalimit të pastrimit të parave, nuk mund të jenë përfituese të donacioneve.

Gjithashtu, Pirdeni nënvizoi se ligji parashikon shprehimisht rregulla konkrete në lidhje me verifikimin e konfliktit të interesit përpara se të përfitohet sponsorizimi ose donacioni.

“Ligji parashikon shumë qartë se kush nuk mund të jetë donator ose kush nuk mund të jetë sponsorizues për të fshirë këtu subjekte të cilët janë ose kanë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale të lidhura me korrupsionin, krimin e organizuar dhe pastrimin e e parave”, shtoi Pirdeni.

Ministrja theksoi se projektligji është konsultuar publikisht duke filluar që nga shtatori i vitit 2025 me të gjitha grupet e interest, përfshirë organizatat e shoqërisë civile.

Po ashtu, sipas saj, projektligji është diskutuar dhe dakordësuar me Komisionin Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër