Tiranë, 19 nëntor Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka shprehur solidaritetin e Shqipërisë me Holandën dhe Austrinë, pasi ambasadat e këtyre dy vendeve në Kiev u dëmtuan nga sulmet ruse me dronë ndaj kryeqytetit ukrainas këtë të enjte.
Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha dënoi sulmet, duke theksuar se ato nuk janë incidente të izoluara. Sipas tij, goditjet e përsëritura ruse kanë vënë në rrezik misionet diplomatike dhe personelin e tyre në Kiev, përfshirë edhe praninë diplomatike të Shqipërisë.
“Ne i njohim nga afër rreziqet dhe pasojat e sulmeve të tilla. Misionet diplomatike dhe personeli i tyre gëzojnë mbrojtje sipas së drejtës ndërkombëtare. Siguria e tyre duhet të respektohet në çdo rrethanë. Çdo sulm që i vë ata në rrezik është i papranueshëm, duhet të dënohet pa asnjë ekuivok dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi.
Këto goditje janë një tjetër dëshmi e karakterit të pakursyer të luftës së agresionit që Rusia po vijon kundër Ukrainës dhe e shpërfilljes së hapur të së drejtës ndërkombëtare.
Ne duhet të mbetemi të bashkuar, të vendosur dhe të palëkundur në mbështetje të Ukrainës, në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe në qëndrimin tonë kundër agresionit rus”, shkruan Hoxha.

