Tiranë, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Ekonomia vijon të tregojë qëndrueshmëri, ndërsa ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe financiar mbetet thelbësore për vijimin e rritjes së qëndrueshme.
Ky ishte një nga mesazhet kryesore të takimit përmbyllës që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga Diego Cerdeiro, Shef i Misionit për Shqipërinë.
Misioni i FMN-së qëndroi në Tiranë në datat 2–20 nëntor 2026, ku zhvilloi takime me përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dhe drejtues të lartë të institucionit. Diskutimet u përqendruan te zhvillimet më të fundit ekonomike, inflacioni, kursi i këmbimit, sistemi bankar dhe perspektiva e ekonomisë shqiptare, si dhe te procesi i vlerësimit të sektorit financiar, në kuadër të programit të përbashkët të FMN-së dhe Bankës Botërore (FSAP).
Guvernatori Sejko u shpreh se “konsumi, investimet dhe aktiviteti i shërbimeve vijojnë të mbështesin rritjen ekonomike, ndërsa theksoi se ruajtja e këtij ritmi në afatin e gjatë kërkon rritjen e produktivitetit, forcimin e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe vijimin e reformave strukturore, duke shfrytëzuar edhe mundësitë që ofron procesi i integrimit evropian”.
Përfaqësuesit e misionit të FMN-së theksuan se perspektiva ekonomike e vendit mbetet e favorshme, ndërsa pasiguritë në mjedisin ndërkombëtar kërkojnë politika të kujdesshme dhe forcim të kapaciteteve të ekonomisë për të përballuar goditje të mundshme.
Misioni i FMN-së vuri në dukje se kalimi gradual drejt një qëndrimi neutral të politikës monetare ishte i përshtatshëm, duke pasur parasysh pozicionin ciklik të ekonomisë.
Një vend të rëndësishëm në takim zuri ecuria e sistemit bankar. Guvernatori Sejko u shpreh se sektori mbetet i mirëkapitalizuar dhe likuid, duke krijuar kushte për mbështetjen e mëtejshme të bizneseve dhe familjeve me financim. Ai theksoi se premisat për vijimin e kreditimit mbeten pozitive, por kjo rritje duhet të ecë paralelisht me ruajtjen e cilësisë së portofolit dhe me vlerësimin e kujdesshëm të aftësisë paguese të kredimarrësve.
Përfaqësuesit e FMN-së vlerësuan rëndësinë e një sektori bankar të shëndetshëm për zhvillimin e ekonomisë dhe theksuan nevojën për monitorimin e vazhdueshëm të rreziqeve që shoqërojnë zgjerimin e kredisë. Në këtë drejtim, u diskutua mbi rolin e mbikëqyrjes dhe të masave makroprudenciale në zbutjen e dobësive financiare dhe në forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit. Ata mirëpritën ndryshimet e fundit në instrumentet e politikës makroprudenciale, të cilat, të kombinuara me masat e bazuara te huamarrësit, forcojnë rezistencën e përgjithshme të sistemit financiar.
Në vijim, palët u ndalën te procesi i vlerësimit FSAP dhe kontributi i tij në identifikimin e prioriteteve për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar. Guvernatori Sejko e cilësoi këtë proces si një mundësi të rëndësishme për të vlerësuar përparimin e bërë dhe për të orientuar reformat e ardhshme. Misioni i FMN-së vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë, profesionalizmin e stafit dhe angazhimin e fortë të institucionit në mbështetje të këtij vlerësimi.
Misioni i FMN-së përshëndeti gjithashtu miratimin e ligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, duke e vlerësuar si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë institucionale. Përfaqësuesit e misionit theksuan se ky ligj forcon bazën ligjore për përmbushjen e mandatit të bankës qendrore dhe rrit aftësinë e saj për t’iu përgjigjur sfidave ekonomike e financiare të vendit.
Në përfundim, Guvernatori falënderoi misionin për diskutimet dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ai rikonfirmoi angazhimin e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, si kushte thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

