Kreu i sigurisë kibernetike largohet nga detyra pas problemeve teknike

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Uashington, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Këshilltari kryesor i presidentit amerikan Donald Trump për sigurinë kibernetike, Sean Cairncross, do të largohet nga detyra pas një seri ndërprerjesh dhe problemesh teknike, që kanë prekur shërbime dhe institucione të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Largimi i tij u konfirmua nga një zyrtar i administratës amerikane.

Cairncross ishte propozuar nga presidenti Trump dhe pozicioni i tij ishte miratuar nga Senati në gusht 2025.

Në vend të tij pritet të emërohet Kirsten Davies, e cila më parë ka drejtuar sektorin e sigurisë kibernetike në Departamentin amerikan të Mbrojtjes.

Lajmi për pasardhësen e mundshme u bë i ditur nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në një reagim dje në rrjetin social X.

Në cilësinë e drejtorit kombëtar për sigurinë kibernetike, Cairncross këshillonte presidentin për politikat që lidhen me mbrojtjen e sistemeve digjitale dhe të dhënave, si dhe për hartimin dhe zbatimin e strategjisë amerikane në këtë fushë.

Ai ka shërbyer gjithashtu si këshilltar në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë të Trump.

Gjatë periudhës së fundit, në SHBA janë regjistruar një sërë ndërprerjesh teknike, që kanë prekur shërbime të rëndësishme, përfshirë postën elektronike Outlook të Microsoft-it, Administratën Federale të Aviacionit (FAA), Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA) dhe disa banka.

Zyrtarët amerikanë janë përpjekur vazhdimisht të qetësojnë publikun, duke deklaruar se deri tani nuk ka prova, që këto ndërprerje të jenë shkaktuar nga sulme kibernetike.

Duke iu referuar dy burimeve që nuk janë identifikuar me emër, media amerikane “Axios” raportoi se Cairncross nuk dëshironte të qëndronte në këtë detyrë edhe për dy vjet të tjera dhe kishte vendosur të largohej, për t’i dhënë presidentit Trump mundësinë të emëronte një pasardhës.

Çështja e emërimit të drejtuesit të ri lidhet edhe me zhvillimet politike në Senatin amerikan.

Në janar, kontrolli i kësaj dhome të Kongresit pritet të kalojë te demokratët, ndërsa kandidatura e pasardhësit të Cairncross duhet të marrë miratimin e Senatit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër