Çmimet e naftës rriten për shkak të sulmeve në Ngushticën e Hormuzit

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Londër, 20 nëntor, Zhurnal.mk – Çmimet e naftës u rritën, pas rënies së një dite më parë, ndërsa shqetësimet për furnizimin nga Lindja e Mesme, si pasojë e sulmeve ndaj transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, kanë shtuar tensionet në tregjet ndërkombëtare, sipas Reuters.

Nafta “Brent” u rrit me 1,35%, duke arritur në 93,19 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI shënoi një rritje prej 1,6%, në 84,55 dollarë për fuçi.

Kjo rritje vjen në një kohë kur parashikimet për një tepricë të ofertës globale ushtronin presion në kahun e kundërt.

Shqetësimet për furnizimin janë shtuar pas raportimeve të marinës iraniane se dy cisterna nafte kanë goditur mina detare në Ngushticën e Hormuzit dhe kanë shpërthyer.

Ndërkohë, rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani, kanë lëshuar raketa drejt kryeqytetit saudit, Riadit.

Analistët paralajmërojnë se sulmet në rajon mund të kufizojnë eksportet e naftës nga Lindja e Mesme dhe të shtrëngojnë më tej furnizimin global.

Një tjetër faktor që ndikon në treg është ulja e prodhimit rus të naftës, për shkak të sulmeve ukrainase ndaj rafinerive dhe infrastrukturës së eksportit.

Sipas burimeve të industrisë të cituara, sulmet me dronë kanë reduktuar me 45% vëllimin e përgjithshëm të përpunimit të naftës bruto në rafineritë ruse që nga fundi i tetorit.

Nga ana tjetër, rritja më e madhe se parashikimet e rezervave amerikane të naftës ka ushtruar presion për uljen e çmimeve.

Në këtë kontekst, SHBA-ja po shqyrton mundësinë e rritjes së eksporteve të naftës dhe karburantit diezel drejt Evropës, ndërsa sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, konfirmoi se vendi i tij është bërë eksportuesi kryesor i diezelit drejt tregut evropian që nga fillimi i luftës SHBA-Iran.

Ekspertët vlerësojnë se ecuria e çmimeve do të varet kryesisht nga zhvillimet e sigurisë në Lindjen e Mesme, ritmi i eksporteve dhe mundësia e ndërprerjeve të mëtejshme në transportin detar.

Për momentin, tregu përballet me dy forca të kundërta: rrezikun e mungesës së furnizimit për shkak të konfliktit dhe pritshmëritë për një tepricë të ofertës globale gjatë periudhës së ardhshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër