Shkup, 20 nëntor Zhurnal.mk – Çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë nga 1 janari mund të rritet për 2 deri në 3 për qind, ndërsa ngrohja qendrore mund të shtrenjtohet për 6 deri në 8 për qind. Kështu vlerëson kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Aco Ristov.
Në një intervistë për televizionin „Sitel“, Ristov paralajmëroi edhe një mënyrë të re të llogaritjes së tarifës së rrjetit, sipas së cilës amvisëritë që shpenzojnë më pak energji elektrike do të paguajnë një shumë më të ulët.
Ndërsa Qeveria paralajmëron se çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë do të mbetet i pandryshuar pas Vitit të Ri, Ristov pret që rritja eventuale të jetë nga 2 deri në 3 për qind.
Ai theksoi se po shqyrtohet mënyra se si shpenzimi shtesë do të shpërndahet në modelet tarifore.
Kompanitë energjetike tashmë i kanë dorëzuar kërkesat e tyre financiare dhe teknike, ndërsa Komisioni Rregullator për Energjetikë pritet të marrë vendimet përfundimtare deri në fund të vitit.
