Prerja e paligjshme e drunjve e zhveshi Malin Sharr

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 21 nëntor Zhurnal.mk – Zona pyjore e brezit të Malit Sharr po ndryshon në mënyrë drastike. Trungje të prera, vegjetacion i shkatërruar dhe gjurmë të dukshme të prerjes po e zëvendësojnë pyllin e dendur duke lënë pasoja serioze mbi pamjen natyrore të Malit Sharr. Posaçërisht shqetësuese është gjendja në zonat mbi fshatrat Vejcë, Varvarë, Llacë, Breznë dhe në luginën “Tre Ujërat”, ku peizazhet e dikurshme të mrekullueshme natyrore sot vende-vende janë shndërruar në sipërfaqe pyjore të zhveshura.

Për pamjen shqetësuese të Masivit të Sharrit dëshmojnë bjeshkatarët, të cilët prej vitesh lëvizin nëpër këto zona. Shtigjet e dikurshme tërheqëse malore të rrethuara me vegjetacion dhe pyje të dendura, sot në vende të caktuara kalojnë pranë sipërfaqeve të degraduara pyjore, ku gjurmët e prerjes po bëhen gjithnjë e më të dukshme.

Nga Klubi Bjeshkatar “Luboteni” nga Tetova, i cili është i pranishëm në Malin Sharr për më shumë se një shekull, thonë se anëtarët e tyre gjatë tureve të rregullta bjeshkatare dhe aktiviteteve të tjera në disa lokacione kanë vënë re gjurmë të dukshme të prerjes së drunjve. Trungje të prera, mbetje të masës drurore, rrugë pyjore dhe sipërfaqe të degraduara janë pjesë e dukurive me të cilat përballen në terren.

Sipas tyre, prania e shpeshtuar e gjurmëve të prerjes flet për nevojën për mbikëqyrje më të madhe, sidomos në lokacionet kritike. Ata theksojnë se shkatërrimi i pyjeve nuk paraqet vetëm humbje të masës drurore, por kërcënim potencial për ekuilibrin natyror dhe për të gjithë ekosistemin malor.

“Prerja e paligjshme dhe e pakontrolluar mund të ketë pasoja afatgjata mbi të gjithë ekosistemin malor. Krahas zvogëlimit të drejtpërdrejtë të pyllit ajo mund të kontribuojë në erozionin e tokës dhe rritjen e rrezikut nga rrëshqitjet e dheut, shkatërrimin e habitateve natyrore, zvogëlimin e diversitetit biologjik, si dhe rritjen e rrezikut nga përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore. Qëndrimi ynë është se prerja e paligjshme paraqet problem serioz që kërkon veprim të vazhdueshëm dhe të koordinuar të të gjitha institucioneve kompetente. Është e nevojshme të rritet kontrolli dhe prania e shërbimeve kompetente në terren, sidomos në lokacionet kritike, si dhe të vendoset sistem më efikas për regjistrimin, raportimin dhe sanksionimin në kohë të aktiviteteve të paligjshme”, apelon Jovan Bozhinovski nga Klubi Bjeshkatar “Luboteni” – Tetovë.

“Nëse vazhdon ky trend zonat malore do të humbasin pjesë gjithnjë e më të mëdha të pyjeve të tyre të dendura. Kjo mund të ketë pasoja serioze ndaj natyrës, por edhe ndaj sigurisë së popullatës. Pasojat e dëmtimit të fondit pyjor mund t’i shihnim edhe gjatë përmbytjeve në rrethinën e Shipkovicës dhe të Leshokut në vitin 2015, kur, fatkeqësisht, pati edhe viktima në njerëz. Krahas kësaj, në këtë mënyrë prishet edhe pamja natyrore e malit, gjë që mund të ndikojë negativisht edhe në zhvillimin e potencialit malor dhe turistik”, tha Florent Bajrami nga Klubi Bjeshkatar “Tetova”.

Edhe ai bën thirrje për kontroll më të madh nga institucionet, si dhe për informim më të madh të aktivistëve dhe popullatës lokale se si t’i raportojnë aktivitetet e dyshimta.

“Institucionet duhet t’i hetojnë mirë raportimet, ndërsa kur të konstatohet shkelje, rastet të kenë zgjidhje përkatëse institucionale. Është e rëndësishme që publiku të informohet edhe për rastet e zbuluara me sukses dhe për sanksionet e shqiptuara, sepse kjo mund të ketë edhe efekt parandalues”, shton Bajrami.

artikuj të ndërlidhura