Shkup, 21 nëntor Zhurnal.mk – Ndërprerja e linjës 18 e autobusit e cila kalonte në Vizbeg, tani e disa muaj ka lënë banorët pa transport publik. Si rezultat i kësaj, ata duhet të ecin deri në tre kilometra për të arritur deri te stacioni më i afërt që është në Shuto Orizare. Komuna e Butelit dhe Ndërmarrja e Transportit Publik në Shkup heshtin, shkruan Portalb.mk. Sipas banorëve, më herët kishin linjë direkte të autobusit që kalonte nëpër këtë zonë, por ajo prej disa muajsh nuk është në funksion.
“Autobusë nuk kemi. E kishim linjën 18, por e kanë ndërprerë. Ka disa muaj që nuk kalon këndej. Linja 37 është lëshuar, por nuk ndalet në “Slloveneçka”. Diku 1.000 nxënës shkojnë në këmbë”, tha një banor i Vizbegut. Një banor tjetër thotë se, për shkak të mungesës së autobusëve, ata detyrohen të ecin dy deri në tre kilometra deri te ura në Shuto Orizare, ku ndodhet stacioni më i afërt.
“Autobusi nuk vjen, është ndërprerë për shkak të rrugës. Ka qenë linja 18A, por nuk vjen më. Duhet të shkojmë në këmbë prej këtu deri te ura në ‘Shutkë’, dy-tre kilometra”, tha një banor tjetër.

