Rama në Qafë Thanë: Deri tani ishte “kontrollo, kontrollo”, tani do të jetë “beso dhe kontrollo”

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Qafë Thanë, 22 nëntor Zhurnal.mk – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në ceremoninë me rastin e funksionalizimit të sistemit “One Stop” në pikën kufitare Qafë Thanë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, deklaroi se mënyra e re e funksionimit do të thjeshtojë procedurat kufitare dhe do të forcojë besimin ndërmjet dy vendeve.

Duke iu referuar kontrolleve të deritanishme në kufi, Rama bëri një krahasim me sistemin e ri, i cili pritet të mundësojë lëvizje më efikase të udhëtarëve dhe mallrave.

“Ne kemi një shprehje në gjuhën shqipe, nuk e di nëse e keni edhe ju në maqedonisht: beso, por edhe kontrollo. Deri tani në këtë pikë kufitare kemi qenë ‘kontrollo, kontrollo’, por tani do të jemi ‘beso dhe kontrollo’”, tha Rama.

Ai theksoi se funksionalizimi i këtij sistemi përbën një tjetër hap në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve fqinje dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Kryeministri shqiptar u ndal edhe te projektet e përbashkëta infrastrukturore, veçanërisht te Korridori 8, duke vlerësuar se ai është i rëndësishëm jo vetëm për integrimin evropian dhe NATO-n, por edhe për lidhjen më të mirë dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Rama falënderoi institucionet dhe punonjësit që kontribuuan në realizimin e projektit “One Stop”, duke shtuar se i njëjti model duhet të zbatohet edhe në vendkalimet e tjera kufitare.

artikuj të ndërlidhura