Shkup, 22 nëntor Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u ka përcjellë urime pjesëtarëve të komunitetit shqiptar me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, duke rikujtuar rëndësinë e Kongresit të Manastirit të vitit 1908 për gjuhën shqipe, arsimin dhe identitetin kombëtar.
“Të dashur qytetarë shqiptarë, 22 Nëntori, Dita e Alfabetit Shqip, na kujton një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare. Kongresi i Manastirit i vitit 1908 shënoi një pikë kthese për gjuhën, arsimin dhe identitetin kombëtar. Manastiri u bë vendi ku rilindësit shqiptarë bashkuan dijen, vizionin dhe përkushtimin për një qëllim të përbashkët”, thekson Gashi.
Ai vlerëson se vendimi për standardizimin e alfabetit shqip ishte më shumë sesa një arritje gjuhësore, përkatësisht një akt uniteti dhe përgjegjësie ndaj brezave të ardhshëm.
Sipas Gashit, gjuha shqipe është lidhja bashkuese e shqiptarëve, bartëse e historisë së tyre dhe shprehje e dinjitetit të popullit, ndërsa në Maqedoninë e Veriut përfaqëson edhe një urë komunikimi, mirëkuptimi dhe bashkëjetese.
“Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues, këtë ditë e konsideroj si një moment për reflektim mbi përgjegjësinë tonë të përbashkët për të garantuar barazinë, respektimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor, përfaqësimin e drejtë dhe mundësitë e barabarta për të gjithë. Këto janë vlera themelore për ndërtimin e një shteti demokratik, të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, thekson Gashi.
Ai përcjell mesazhin se respektimi i gjuhës dhe identitetit të njëri-tjetrit është themeli i unitetit dhe i së ardhmes së përbashkët.

