Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq këngëtaren Xhensila Myrtezaj

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në gjyq këngëtaren Xhensila Myrtezaj (e identifikuar në njoftimin zyrtar me inicialet Xh.K.), nën akuzën për fshehje të të ardhurave të kryer më shumë se një herë.

Sipas organit të akuzës, hetimet e procedimit penal të nisur në vitin 2024 zbuluan mospërputhje mes të ardhurave të deklaruara dhe lëvizjeve financiare të këngëtares. Konkretisht, hetuesit kanë evidentuar blerje ose transaksione pronash me burime financimi të pajustifikuara, si dhe derdhje e tërheqje të mëdha parash cash që nuk mbulohen nga deklarimet tatimore.

Gjatë hetimit, këngëtarja ka dorëzuar një deklaratë me shkrim ku ka pretenduar se shumat e depozituara vijnë nga fitimet e koncerteve brenda dhe jashtë vendit.
Megjithatë, Prokuroria thotë se dokumentet e paraqitura provojnë vetëm një pjesë të parave.

Ekspertimi kontabël ka përllogaritur një detyrim tatimor të shmangur në vlerën totale prej 6,075,521 lekësh, të ndarë në dy vite të ndryshme:

Viti 2023: 2,417,311 lekë
Viti 2024: 3,658,210 lekë

Duke e cilësuar veprën si të përsëritur në dy vite kalendarike të pavarura (neni 180/1 i Kodit Penal), Prokuroria e ka kaluar dosjen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, ku do të shqyrtohen provat dhe mbrojtja e saj. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, ajo gëzon prezumimin e pafajësisë.

artikuj të ndërlidhura