Shkup, 22 nëntor Zhurnal.mk – “Ndryshe nga shumë fshatra që po zbrazen, Koliçani i Epërm së fundmi ka marrë një pamje të re. Kushtet klimatike dhe ajri i pastër kanë ndikuar që së fundmi në këtë fshat të ndërtohen mbi 20 shtëpi vikendi”, thotë Avni Tahiri – Gazetar.
Edhe pse gjatë fundjavës në fshatin Koliçan të Epërm rrugët janë të mbushura me gjallëri, gjatë ditëve të javës rrugët janë të zbrazëta. Të vetmit që takuam ishin disa nxënës që dilnin nga shkolla dhe disa banorë të cilët pas pensionimit janë kthyer në fshatin e tyre.
“Fshati ishte mbi 100 shtëpi. Disa shkuan në Turqi, ndoshta 70 apo 80 shtëpi e diku 50 apo 60 shkuan në Shkup. Mbetem një pakicë por tani fshati përsëri u shtua dhe jemi gati 100 shtëpi. Kthehemi përsëri. Unë me shtëpi jam në Shkup. Afër 50 shtëpi janë ndërtuar nga banorë që jetojnë edhe në Shkup edhe këtu. Nuk u pëlqen qyteti e ktheheni përsëri këtu!? Gjatë verës rrimë këtu e tani do kthehemi përsëri në qytet. Dimrin e kalojmë në qytet e verës jemi këtu. Për mua ka shumë dallim katundi për shëndet pasi është klima më e mirë e në gjitha anët më mirë në katund”, tha një banor i fshatit Koliçan të Epërm.
Dikur fshati ishte më i gjallë, punoheshin tokat dhe ishte e zhvilluar edhe blegtoria por tani i vetmi që jeton nga blegotira është vetëm një banor i fshatit.
”Ruanim kafshë më herët, dele e lopë, çdo banor kishte 70 apo 80 copë dele por punonim edhe duhan. E tani? Tani nuk ruan askush përveç një banori që ka 30 lopë tjerët askush. I gjithë fshati vetëm 30 lopë! Po, vetëm lopët e Qamilit e më herët kishim çdokush nga 5 apo 6 e deri në 10″, tha një banor tjetër i fshatit Koliçan të Epërm.
Qamil Jakupi thotë se ka punuar rreth 37 vite në mërgim por tani është kthyer në fshatin e tij të lindjes dhe merret me blegtori. Ai kërkon nga institucionet më shumë mbështetje për fermerët, në mënyrë që të mund të jetojnë dhe të punojnë në vendin e tyre.
“Jetoj këtu. Me çfarë merresh? Kam rreth 30 krerë lopë, me të cilën mbaj familjen por punoj edhe tokën. Ke qenë në mërgim? Po kam qenë rreth 37 vite pastaj u ktheva këtu dhe e vendosa që të punoj këtu por nuk e kemi shtetin që na përmbajë. Sikur shteti të na përmbante dhe çdo parti që hyn në pushtet duhet të mendojë edhe për popullin e jo vetëm për karriget e tyre”, theksoi banori i fshatit Koliçan të Epërm.
Edhe pse fshati Koliçan i Epërm ka filluar të marrë sërish gjallëri, mungesa e infrastrukturës rrugore, ujësjellësit dhe mbështetjes për bujqësinë e blegtorinë vazhdon t’ua vështirësojë jetën banorëve. Fshati ndodhet rreth 18 kilometra larg Shkupit dhe sipas regjistrimit të fundit të popullsisë ka rreth 250 banorë.

