Shkupi 2028: një qytet, shumë kultura, një skenë e përbashkët

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 23 nëntor, Zhurnal.mk – Në vitin 2028 Shkupi do të jetë Kryeqytet Evropian i Kulturës. Për një vit të tërë, qyteti ku flitet shqip, maqedonisht, turqisht e shumë gjuhë të tjera do t’i tregojë Evropës atë që e bën të veçantë: kulturat e ndryshme që jetojnë dhe krijojnë në një skenë të përbashkët.

Një ide e lindur nga besimi te kultura

Ideja daton nga viti 1983, kur ministrja greke e Kulturës, Melina Mercouri, së bashku me ministrin francez të Kulturës, Jack Lang, propozoi që qytetet evropiane të kishin çdo vit mundësinë të tregonin pasurinë e tyre kulturore dhe t’i afronin popujt përmes artit. Qyteti i parë ishte Athina, në vitin 1985. Dyzet e tre vjet më vonë, në të njëjtën listë do të jetë edhe Shkupi.

Thelbi ka mbetur i njëjtë: të festohet larmia kulturore e Evropës dhe ajo që i lidh kulturat evropiane. Titullin e kanë mbajtur jo vetëm metropolet e mëdha, por edhe qytete të mesme e të vogla, përfshirë edhe qytete nga vende jashtë Bashkimit Evropian.

„Kultura mbi ndarjet“

Shkupi do ta mbajë titullin nën moton „Kultura mbi ndarjet“. Kjo nuk do të thotë që dallimet zhduken ose fshihen. Do të thotë që kultura bëhet hapësirë për dialog, bashkëpunim dhe krijim të përbashkët, ku çdo zë dëgjohet pa u shkrirë në një histori të vetme e uniforme.

Kandidatura u dorëzua së bashku me të dhjetë komunat që e përbëjnë Qytetin e Shkupit: Aerodrom, Butel, Gazi Babë, Gjorçe Petrov, Karposh, Kisella Vodë, Saraj, Qendër, Çair dhe Shuto Orizarë. Një nga linjat programore të librit të kandidaturës (Bid Book) quhet pikërisht „Togetherness“ – të qenët bashkë – dhe ideja e Shkupit si udhëkryq evropian i kulturave e përshkon gjithë projektin.

Kultura shqiptare, pjesë e natyrshme e historisë së qytetit

Shkupi nuk ka nevojë të shpikë një identitet të ri. Historia e tij është shkruar në shumë gjuhë, dhe kultura shqiptare është pjesë e saj prej shekujsh: në Çarshinë e Vjetër, në lagjet e Çairit, në muzikë, letërsi e teatër, në zanatet dhe zakonet që brezat i kanë përcjellë njëri te tjetri. Është qyteti ku lindi Nënë Tereza, figura që sot i përket gjithë botës.

Prandaj një nga pritjet më të mëdha nga Shkupi 2028 është që kultura shqiptare të jetë e pranishme në program jo vetëm në publik, por edhe në skenë: me artistë, me Teatrin Shqiptar, me skenën e pavarur, me muzikën dhe trashëgiminë që i japin qytetit ngjyrën e tij. Kur Evropa të vijë në Shkup, duhet ta shohë qytetin ashtu siç është, me të gjitha kulturat e tij.

Projekti synon t’u flasë qytetarëve në gjuhët e tyre. Komunikimi me publikun planifikohet në maqedonisht, shqip dhe anglisht, ndërsa gjuhët e bashkësive të tjera,një  do të përdoren sipas publikut dhe vendit.

„Shkupi im ka qenë gjithmonë qytet ku në të njëjtën rrugë dëgjon shqip, maqedonisht e turqisht. Kjo nuk është pengesë, është pasuria jonë. Shpresoj që në vitin 2028 Evropa ta shohë Shkupin pikërisht kështu që edhe artistët shqiptarë të jenë në skenë krah për krah me kolegët e tyre“, thotë një artistë nga Shkupi.

Evropa në Shkup, Shkupi në Evropë

Dimensioni evropian është pjesë thelbësore e titullit. Ai nuk do të thotë vetëm që Shkupi të prezantohet para publikut evropian, por që artistët, institucionet dhe organizatat vendore të bëhen pjesë e shkëmbimit kulturor evropian përmes bashkëprodhimeve, rezidencave, vizitave dhe partneriteteve afatgjata, me lidhje që nuk përfundojnë me vitin 2028.

Qytete që e kthyen diversitetin në forcë

Përvoja e qyteteve të tjera tregon se diversiteti mund të jetë pikërisht ajo që e bën të suksesshëm një kryeqytet kulture. Plovdivi në Bullgari, me moton „Së bashku“, realizoi rreth 513 ngjarje në vitin 2019 dhe, sipas vlerësimit të pavarur, 60 për qind e banorëve ndoqën të paktën njërën prej tyre.

Rijeka në Kroaci e mbajti titullin në vitin 2020 me temën „Porti i diversitetit“. Novi Sadi organizoi në vitin 2022 rreth 1.500 ngjarje me konceptin „Për ura të reja“, duke e afruar kulturën me pjesë të ndryshme të qytetit. Ndërsa Nova Gorica, së bashku me Gorizian fqinje në Itali, realizoi në vitin 2025 kryeqytetin e parë ndërkufitar të kulturës dhe e zhvilloi komunikimin në disa gjuhë, që njerëzit ta kuptonin njëri-tjetrin edhe kur nuk flisnin të njëjtën gjuhë.

„Kur shikojmë cilat qytete e kanë mbajtur titullin para nesh, nga Athina deri te Novi Sadi, ndiejmë edhe krenari, edhe përgjegjësi. Vlera e tij nuk do të matet me numrin e ngjarjeve, por me atë se sa do ta hapim Shkupin ndaj Evropës, sa do ta lidhim skenën tonë kulturore me atë ndërkombëtare dhe nëse qytetarët do të ndiejnë se diçka ka ndryshuar vërtet“, thonë nga Fondacionit „Shkupi 2028“.

Një histori në shumë gjuhë

Përvoja e qyteteve të tjera tregon se suksesi vjen kur pas titullit qëndrojnë një program cilësor, organizim profesional, menaxhim transparent, përfshirje e qytetarëve dhe promovim i mirë ndërkombëtar. Por Shkupi ka tashmë atë që shumë qytete e kërkojnë: një histori të përbashkët të shumë kulturave.

Në vitin 2028 Evropa duhet ta dëgjojë këtë histori në shumë gjuhë, edhe në shqip.

Informacione për Shkupin 2028 publikohen në skopje2028.mk.

artikuj të ndërlidhura