Moti i keq në Shqipëri, reshjet shkaktojnë dëme në Kukës, rritet niveli i ujit në Fierzë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Kukës, 23 nëntor Zhurnal.mk – Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme në disa zona të Shqipërisë, veçanërisht në qarkun e Kukësit, ku janë regjistruar rrëshqitje dherash, rënie gurësh dhe dëmtime të infrastrukturës rrugore.

Në Tropojë, shembja e bazamentit të rrugës në aksin Bajram Curri–Cërrnicë ka bllokuar qarkullimin, ndërsa automjetet po devijohen përmes aksit Sopot–Ura e Bujanit. Probleme janë raportuar edhe në disa fshatra të Kukësit, si dhe pranë Pikës Kufitare të Morinit, ku një kamion ka dalë nga rruga.

Nga ana tjetër, reshjet kanë ndikuar në rritjen e rezervave hidrike në Kaskadën e Drinit. Niveli i ujit në hidrocentralin e Fierzës ka arritur në 261,09 metra, ndërsa rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit janë mbuluar nga uji. Sipas Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, aktualisht nuk ka shkarkime në tri hidrocentralet e kaskadës.

Ndërkohë, ulja e temperaturave ka sjellë reshjet e para të dëborës në zonën e Kalimashit, pranë tunelit, duke shënuar fillimin e kushteve dimërore në verilindje të vendit.

Dëborë ka rënë edhe në Qafë-Thore, ku rrugët mbeten të kalueshme, ndërsa borëpastrueset po punojnë për të parandaluar vështirësitë në qarkullim.

Reshje dëbore janë regjistruar edhe në jug të Shqipërisë, ndërsa në disa qytete reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat malore dhe në akset e prekura nga moti i keq.

artikuj të ndërlidhura