Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – Sot, më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, në ora 17:00 takohemi në të vetmin vend ku duam dhe duhet të jemi së bashku: në rrugë, në luftë protestuese për jetët e grave!, thonë nga iniciativa joformale qytetare “Asnjë më shumë”.
“Kur institucionet janë të shurdhra, le t’i detyrojmë të na dëgjojnë! Derisa gratë vriten, kallëzimet për dhunë mbeten në sirtar, ndërsa institucionet nuk veprojnë. Nuk na duhen ceremoni, protokolle të pakuptimta, ngjarje vezulluese, ndërtesa të ndriçuara me portokalli dhe fjalime të matura.
Dalim në rrugë sepse jemi të zemëruara. Sepse refuzojmë të pajtohemi me një shoqëri në të cilën vazhdimisht na paralajmërojnë të kemi kujdes, të mbrohemi dhe të kemi frikë. Refuzojmë të mbështesim institucione që nuk duan dhe nuk munden të na mbrojnë.
Nuk pranojmë dhe nuk do të lejojmë që çdo vrasje e re të jetë një shqetësim publik disa ditor, i pasuar nga heshtja institucionale. Mjaft më me konferenca për shtyp, raporte nga jo-komisione dhe solidaritet verbal.
Nuk do të lejojmë që institucionet të fshihen pas protokolleve, raporteve, procedurave dhe komisioneve!
Nuk do të lejojmë programin absurd të zakonshëm ditor partiako-politik derisa ne po i varrosim shoqet tona!
Nuk do të lejojmë që zemërimin tonë ta quani histeri!
Nuk kërkojmë më dhe nuk lutemi më. Tani këmbëngulim! Këmbëngulim për përgjegjësi institucionale, mbrojtje në kohë, veprim konsekuent dhe drejtësi gjyqësore për të gjitha gratë që kanë mbijetuar dhunën, për të gjitha gratë të cilave u janë marrë jetët. MENJËHERË!
Marshi protestues i datës 25.11. do të fillojë në ora 17:00 në parkun “Gruaja Luftëtare” dhe do të përfundojë para ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të RMV-së.
Në fund të protestës, aktivistet do të realizojnë një aksion performativ jo-simbolik. Në protestë secili dhe secila shkojmë me një copëz dheu tonën. Mund të jetë nga një kantier ndërtimi, nga oborri, nga një vazo ose nga mali. Nuk duhet patjetër të jetë e bukur, nuk duhet patjetër të jetë pjellore.
Toka jonë duhet të ketë vetëm një gjë – të jetë e drejtë!
Dalim në marsh protestues së bashku me vëllezërit tanë, motrat tona, nënat, baballarët, partnerët, partneret, gjyshet dhe gjyshërit, shokët dhe shoqet.
Dalim dhe së bashku luftojmë për jetët e grave!
NUK DO TË HESHTIM!
Shihemi sot në ora 17:00 në parkun “Gruaja Luftëtare”!”, shtohet në kumtesën e iniciativës joformale qytetare – “Asnjë më shumë!”.
