Shkup, 25 nëntor, Zhurnal.mk – “Me Klekovskin dhe Mickoskin, shëndetësia është në kaos, nuk ka barna, njerëzit po vdesin. Pacientët onkologjikë sërish kanë mbetur pa terapi, për të disatën herë që kur VMRO-OKG kriminale është në pushtet. Mungon ilaçi ‘Paklitaksel’. Pacientët po kthehen sërish në shtëpi pa terapinë e nevojshme, madje me informacionin se ilaçi nuk do të jetë i disponueshëm deri në Vitin e Ri”, deklaroi sot Elena Radeska nga LSDM.
Sipas saj, deri në Vitin e Ri pacientët onkologjikë do të duhet të presin dhe të mbeten pa terapinë e nevojshme, e cila për ta do të thotë jetë.
Kjo, siç tha ajo, paraqet rrezikim të jetëve njerëzore, për të cilin përgjegjës direkt është Klekovski.
“Pacientët që tashmë kanë kaluar cikle të rënda të sëmundjes, tani po vendosen në rrezik që sëmundja t’u përparojë.
Në vend të një zgjidhjeje urgjente dhe sigurimit të ilaçit, pacientëve u jepet mesazhi se duhet të presin deri në Vitin e Ri. Ky është një shpërbërje e plotë e sistemit shëndetësor për shkak të tenderëve kriminalë, për shkak të Mickoskit dhe Klekovskit. Kaosi që ka shkaktuar Klekovski po e vë në rrezik si shëndetin, ashtu edhe jetën e qytetarëve. Grupi i organizuar kriminal VMRO e sheh shëndetin e qytetarëve përmes prizmit të tenderëve dhe fitimeve mbi kurrizin e popullit”.
Radeska shtoi se nuk ka para për barna, për pajisje, për punësime dhe për paga më të larta, por ka për tenderët e tyre partiakë.
Ajo kërkoi dorëheqjen e Klekovskit.
“Kërkojmë përgjegjësi për të gjithë ata që lejuan që jeta e pacientëve onkologjikë të vihet në rrezik.
Kërkojmë që menjëherë të sigurohet ilaçi ‘Paklitaksel’ për të gjithë pacientët që kanë nevojë për të, pa justifikime, pa bartje të fajit dhe pa vonesa të reja.
Bëhet fjalë për shëndetin e njerëzve dhe ai nuk mund të presë.”, theksoi Radeska.
