Kosta dërgon mesazh për Ballkanin Perëndimor: Anëtarësimi në BE është i arritshëm

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 25 nëntor Zhurnal.mk – Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar sonte në Bruksel se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një mundësi reale dhe e arritshme për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas samitit mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, Costa vlerësoi përparimin e arritur në procesin e integrimit evropian, duke veçuar fillimin e hartimit të marrëveshjes së anëtarësimit për Malin e Zi dhe mbylljen e kapitujve të parë të negociatave me Shqipërinë.

“Mesazhi im për të gjithë partnerët ishte i qartë: ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t’ju çojnë drejt Bashkimit Evropian. Zgjerimi është një mundësi reale dhe kjo mundësi duhet shfrytëzuar”, deklaroi Costa.

Ai theksoi se këtë vit BE-ja ka nisur hartimin e marrëveshjes së anëtarësimit për Malin e Zi, një hap që Bashkimi Evropian nuk e kishte ndërmarrë prej më shumë se dhjetë vitesh. Sipas tij, edhe vendet e tjera të rajonit mund të përparojnë drejt anëtarësimit, nëse ekziston vullneti politik për realizimin e reformave.

Costa nënvizoi se përveç reformave, bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë kushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Ai shprehu pritshmëri që vendet e rajonit të arrijnë përparim të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve të hapura dypalëshe, duke kujtuar se edhe vetë Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi themelet e pajtimit dhe paqes, ndërsa procesi i zgjerimit ka luajtur rol të rëndësishëm në realizimin e këtyre synimeve.

Në samitin e dytë të këtij viti mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrësit diskutuan për rezultatet e arritura që nga takimi i mëparshëm në Tivat, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejshëm të integrimit gradual të rajonit në Bashkimin Evropian.

Sipas Costës, qytetarët e Ballkanit Perëndimor tashmë po i ndiejnë përfitimet e këtij procesi, ndërsa rrethanat e ndërlikuara gjeopolitike e bëjnë edhe më të domosdoshëm forcimin e lidhjeve mes rajonit dhe BE-së.

“Partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor mund të llogarisin në Bashkimin Evropian. Ne jemi partneri juaj më i besueshëm dhe të tillë do të mbetemi”, përfundoi Costa.

artikuj të ndërlidhura