Shkup, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Integrimi gradual i vendeve kandidate në sektorët strategjikë të Bashkimit Evropian, veçanërisht në energjetikë, mund të forcojë qëndrueshmërinë ekonomike dhe gjeopolitike të Evropës, ndërsa integrimi energjetik tashmë po jep rezultate konkrete, vlerëson Sekretariati i Komunitetit të Energjisë (KE).
Në analizën “Integrimi para zgjerimit forcon sigurinë energjetike të BE-së”, Sekretariati thekson se përfshirja graduale e vendeve kandidate në sektorët e energjetikës, transportit, digjitalizimit dhe fushat e tjera strategjike, para anëtarësimit formal në Union, do të kontribuojë në rritjen e stabilitetit në kushtet e pasigurisë globale.
Komuniteti i Energjisë përshëndet kornizën që Komisioni Evropian prezantoi në paketën vjetore për zgjerim në fillim të nëntorit, duke vlerësuar se energjetika mund të shërbejë si model për integrimin edhe në sektorë të tjerë.
Krizat e mëparshme energjetike na kanë mësuar se siguria energjetike nuk përfundon në kufijtë e BE-së, thekson Sekretariati, i cili po punon me Komisionin Evropian për integrimin gradual të vendeve fqinje në tregjet e energjisë elektrike, burimeve të ripërtëritshme dhe gazit.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë së BE-së për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER), integrimi i tregjeve të energjisë elektrike të BE-së dhe Komunitetit të Energjisë mund të sjellë përfitime vjetore prej rreth 763 milionë eurosh.
Procesi zhvillohet në tre faza – harmonizimi i legjislacionit të palëve kontraktuese me rregullat e BE-së, verifikimi i përputhshmërisë nga ana e Sekretariatit dhe Komisioni Evropian, ndërsa më pas një fazë 18-mujore për gatishmërinë kontraktuale dhe operative për bashkimin e tregjeve.
Nga nëntë palët kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, Serbia, Moldavia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ndodhen në faza të ndryshme të verifikimit të përputhshmërisë. Sipas Sekretariatit, viti 2027 është një afat i mundshëm që këto vende të marrin dritën jeshile për integrimin e plotë në tregun e përbashkët të BE-së.
Integrimi i plotë do të mundësojë prodhim më të madh të energjisë në Evropë dhe do të zvogëlojë varësinë nga goditjet e jashtme që mund të rrezikojnë qasjen në burime të sigurta dhe të përballueshme të energjisë.
Në analizë theksohet se tregjet e integruara me BE-në janë më të pozicionuara për ta shfrytëzuar këtë potencial, duke mundësuar çmime më konkurruese për konsumatorët dhe siguri më të madhe rregullatore për investitorët.
Sekretariati dhe Komisioni Evropian kanë përgatitur një kornizë për njohjen reciproke të garancive të origjinës, e cila pritet të miratohet nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë më 30 nëntor. Pas përmbushjes së kushteve të nevojshme, prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme nga vendet kandidate do të mund të kenë qasje në tregjet dhe financimet e BE-së në kushte të barabarta.
