Muri i turpit: Afrim Gashi i pari në listën e organizatave që kërkojnë përgjegjësi për vonesat në mbrojtjen e grave

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi ka nisur një seri publikimesh publike me titullin „Muri i turpit“, të drejtuara ndaj bartësve të funksioneve publike, nga veprimet e të cilëve varet parandalimi i dhunës ndaj grave.

I pari në këtë listë është kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, nga i cili organizata kërkon përgjigje se përse ndryshimet në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje nuk janë përfshirë në rendin e ditës edhe pas tre muajsh nga dorëzimi, ndërkohë që gjatë vitit 2026 janë regjistruar shtatë raste të femicidit.

Nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi bëjnë të ditur se aksioni është frymëzuar nga shprehja „Muri i turpit“, të cilës i është referuar presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.

Organizata paralajmëron se në ditët në vijim do t’u drejtojë pyetje publike edhe bartësve të tjerë të funksioneve publike, nga veprimet e të cilëve varet parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e grave.

Ndryshimet në Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje janë dorëzuar në Kuvend më 26 gusht 2026, me procedurë urgjente, përkatësisht të shkurtuar. Megjithatë, tre muaj pas dorëzimit, ato ende nuk janë përfshirë në rendin e ditës të një seance plenare.

Nga organizata civile e krahasojnë këtë vonesë me veprimet e Kuvendit në prill të vitit 2025. Sipas publikimit të tyre, në atë kohë, pa debat dhe pa përfshirjen e opinionit profesional, nga ligjet për arsimin ishte hequr mbrojtja nga dhuna dhe diskriminimi.

„Përse për regresin e të drejtave ka urgjencë, ndërsa për mbrojtjen e jetës së grave nuk ka? Kur do të përfshihen ndryshimet ligjore në rendin e ditës? Kur do të miratohen konkluzionet nga debati mbikëqyrës?“, janë pyetjet që Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi ia drejton kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.

artikuj të ndërlidhura