Shkup, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka deklaruar se reformat duhet të sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset, përmes financimeve shtesë dhe mundësive të reja në tregun evropian.
Në një postim pas Samitit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, Sali bëri të ditur se, sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mund të përfitojnë së bashku deri në 338 milionë euro financim shtesë, pas përmbushjes së procedurave përkatëse.
Ai theksoi se pjesa e financimit që i takon Maqedonisë së Veriut ende nuk është përcaktuar.
Sali gjithashtu vlerësoi se dialogu i paralajmëruar për integrimin gradual paraqet mundësi për identifikimin e përfitimeve të tjera për qytetarët dhe bizneset.
“Do të vazhdojmë të punojmë që reformat të japin rezultate të prekshme”, ka shkruar Sali.
