Dy të sapodiplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, përvojë pranë pacientëve në Spitalin e Vlorës

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Dy të sapodiplomuar në Fakultetin e Mjekësisë kanë zgjedhur Spitalin Rajonal të Vlorës për të zhvilluar praktikën profesionale, duke fituar përvojë konkrete në trajtimin dhe menaxhimin e pacientëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ndau përvojën e dy mjekëve të rinj, të cilët prej dy muajsh janë angazhuar në praktikën profesionale pranë këtij institucioni shëndetësor.

Kenida Beqaj, e sapodiplomuar në degën e Mjekësisë së Përgjithshme, u shpreh se fluksi i pacientëve në Spitalin e Vlorës i ka krijuar mundësinë të njihet me raste të ndryshme klinike dhe të zbatojë në praktikë njohuritë e fituara gjatë studimeve.

“Spitali Rajonal i Vlorës, duke qenë se ka një fluks të madh pacientësh, më ka lejuar që të njihem me raste klinike reale, por edhe të shikoj nga afër mjediset bashkëkohore të këtij spitali, duke e bërë zhvillimin e mësimit akoma më praktik dhe më efikas”, tha Beqaj.

Ajo vlerësoi mbështetjen e stafit mjekësor, i cili, sipas saj, ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e tyre profesional.

Edhe Mario Ndini, i cili po zhvillon praktikën prej dy muajsh në të njëjtin spital, vlerësoi klimën bashkëpunuese dhe mundësitë për t’u përfshirë në procese konkrete të punës mjekësore.

“Kam gjetur një mjedis mjaft bashkëpunues, si nga ana e stafit infermieror, ashtu edhe të doktorëve. Më është lënë shumë hapësirë për të praktikuar mjekimin e plagëve dhe menaxhimin e pacientëve, që prej triazhimit dhe më pas aplikimit të terapive”, tha Ndini.

Ai shpjegoi se angazhimi përfshin edhe ndjekjen e pacientëve pas vlerësimit fillestar, deri në sistemimin e tyre në pavijon ose në largimin drejt banesës, në varësi të patologjisë.

artikuj të ndërlidhura