Shkup, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur në ambientet e komunës nxënësit e klasës së katërt të shkollës fillore “Rilindja” nga fshati Sellcë, në kuadër të vizitave edukative që zhvillojnë nxënësit e shkollave fillore.
Gjatë takimit, Kasami i ka njoftuar nxënësit me mënyrën e funksionimit të institucionit të komunës, punën dhe përgjegjësitë e pushtetit lokal, si dhe proceset që lidhen me zhvillimin dhe ndërtimin e qytetit të Tetovës.
Përmes një njoftimi, Kasami ka vlerësuar se propozimet dhe pyetjet e nxënësve sjellin ide të reja dhe motivim për punën në fusha të ndryshme, duke përfshirë arsimin, kulturën dhe digjitalizimin.
Ai ka theksuar rëndësinë e këtyre vizitave, të cilat u mundësojnë nxënësve të njihen më nga afër me funksionimin e institucioneve lokale dhe përgjegjësitë e tyre.
