Shkup, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Gazi Baba është ndër komunat e para të Shkupit që i liroi të rinjtë deri në moshën 35-vjeçare nga pagesa e komunalive për ndërtimin e shtëpisë, ndërsa pason një zgjidhje ligjore që do të vlejë në të gjithë territorin, njoftoi VMRO-DPMNE.
“Me masën e re, e cila do të shndërrohet në zgjidhje ligjore, parashihet që çiftet e reja bashkëshortore deri në moshën 35-vjeçare, të cilat dëshirojnë të ndërtojnë shtëpinë e tyre, të lirohen nga pagesa e komunalive ndaj komunave në të gjithë territorin e shtetit. Kjo masë paraqet mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për familjet e reja dhe lehtësim të konsiderueshëm gjatë fillimit të ndërtimit të shtëpisë së tyre. Se bëhet fjalë për politikë konkrete dhe jo vetëm për paralajmërim, tregohet edhe nga zbatimi i deritanishëm i saj në disa komuna të Shkupit, ndër të cilat edhe Komuna e Gazi Babës, e cila është ndër të parat”, thonë nga partia.
Komuna e Gazi Babës që në fund të vitit të kaluar e zbatonte masën, me të cilën çiftet e reja bashkëshortore deri në moshën 35-vjeçare lirohen nga shuma e plotë e komunalive që i takojnë komunës.
Për më tepër, Këshilli i Qytetit të Shkupit e miratoi masën me të cilën çiftet e reja bashkëshortore deri në moshën 40-vjeçare dhe prindërit vetushqyes lirohen nga 60 për qind e kompensimit të përgjithshëm për rregullimin e tokës ndërtimore, respektivisht nga pjesa që i takon Qytetit të Shkupit, për objektet brenda Planit të Përgjithshëm Urbanistik.
Kufiri fillestar i moshës prej 29 vjetësh u zgjerua në 35, përkatësisht 40 vjet, pas analizave të kryera dhe konstatimit të nevojave reale të familjeve të reja, sepse qëllimi është që mbështetja të përfshijë sa më shumë të rinj dhe familje që kanë nevojë për ndihmë në krijimin e kushteve për një shtëpi të tyren.
