Bardhi: Gjykata cilësoi të paligjshëm pengimin e deputetëve të opozitës në Kuvend

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se “ndalimi arbitrar dhe me forcën e strukturave të sigurisë i deputetëve të opozitës për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit u konstatua sot nga gjykata si i paligjshëm”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi theksoi se “ky vendim konfirmon se pengimi i përfaqësuesve të zgjedhur për të ushtruar të drejtën dhe përgjegjësinë e tyre kushtetuese nuk është thjesht një akt arbitrar, por një shkelje që cenon drejtpërdrejt demokracinë dhe shtetin e së drejtës”.

Ai tha se, praktika të tilla antidemokratike janë të papranueshme për një vend që pretendon të jetë në rrugën e integrimit europian.

Bardhi nënvizoi se kryeministri Edi Rama synon një Kuvend pa opozitë dhe një pushtet pa zë kritik, ndërsa ka theksuar se institucionet parlamentare nuk mund të jenë pronë e askujt.

“Ulsi Manja, Arkend Balla dhe Saimir Hasalla, tre firmëtarët e vendimit për pengimin e paligjshëm të deputetëve të opozitës, duhet ta kuptojnë se firmat dhe veprimet e tyre nuk i vendosin mbi ligjin. Përgjegjësia për çdo shkelje të ligjit dhe çdo shpërdorim të detyrës do të hetohet dhe do të marrë përgjigjen që meriton përpara drejtësisë”, tha ai.

Bardhi shtoi se opozita nuk do të intimidohet dhe nuk do të heqë dorë nga e drejta për të përfaqësuar qytetarët.

“Kuvendi i Shqipërisë nuk është pronë e Edi Ramës dhe demokracia shqiptare nuk mund të vihet në shërbim të pushtetit të tij”, tha Bardhi.

artikuj të ndërlidhura