Tiranë, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë sot në Samitin e Procesit të Brdo-Brijun-it në Ohër, Republika e Maqedonisë së Veriut, me mikpritëse Presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe bashkëdrejtues të procesit Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, dhe Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanović.
Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor si domosdoshmëri gjeopolitike, forcimi i sigurisë, bashkëpunimi rajonal dhe krijimi i perspektivave të zhvillimit për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë, ishin në qendër të diskutimeve të samitit.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se, në kushtet e sfidave të reja gjeopolitike dhe të ndryshimit të mjedisit të sigurisë, zgjerimi i Bashkimit Evropian përbën pjesë të përgjigjes së Evropës ndaj këtyre sfidave.
“Ballkani Perëndimor nuk mund të shihet i shkëputur nga siguria e përgjithshme evropiane. Një Evropë më e sigurt kërkon një rajon të ankoruar fort në institucionet dhe vlerat evropiane. Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të forcojë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe aftësinë e Evropës për të vepruar”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit tërhoqi vëmendjen ndaj kërcënimeve hibride, sulmeve kibernetike, dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, si dhe ndaj nacionalizmit ekstrem, revizionizmit historik dhe glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte, të cilat cenojnë besimin, pengojnë pajtimin dhe dobësojnë themelet e së ardhmes së përbashkët evropiane të rajonit.
Presidenti Begaj ritheksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten një prioritet themelor i politikës së jashtme të Shqipërisë, të udhëhequra nga respektimi i së drejtës ndërkombëtare, qëndrueshmëria në veprime dhe parashikueshmëria në angazhime.
Presidenti Begaj shfrytëzoi këtë forum për të shprehur edhe një herë qëndrimin e Shqipërisë për përshpejtim të proceseve integruese të Republikës së Kosovës si vend Kandidat në BE dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.
Duke u ndalur te procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, Presidenti Begaj ambicien e Shqipërisë për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
Ai nënvizoi angazhimin e vendit për vijimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe garantimin e të drejtave themelore, përfshirë ato të pakicave.
Presidenti Begaj theksoi se procesi i anëtarësimit, përveçse i bazuar në meritë dhe rezultate, duhet të mbetet i besueshëm, duke garantuar që përmbushja e angazhimeve nga vendet kandidate të reflektohet në përparimin e tyre drejt anëtarësimit.
Kreu i Shtetit vlerësoi rëndësinë e Procesit të Berlinit, Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planit të Rritjes së BE-së për ngushtimin e hendekut të zhvillimit ekonomik ndërmjet rajonit dhe Bashkimit Evropian, forcimin e ndërlidhjes infrastrukturore dhe krijimin e përfitimeve konkrete për qytetarët dhe bizneset.
“Bashkëpunimi rajonal nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por një nga mënyrat për t’u përgatitur për të”, theksoi Presidenti Begaj.
Në përfundim të samitit, liderët miratuan Deklaratën e Përbashkët të Ohrit, përmes së cilës riafirmuan mbështetjen e plotë për perspektivën evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar zgjerimin e BE-së një domosdoshmëri gjithnjë e më të madhe gjeopolitike.
Deklarata thekson, gjithashtu, se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të trajtohen si vende të treta, por si pjesë përbërëse e rrjeteve infrastrukturore, integrimit ekonomik dhe zhvillimit të ardhshëm të Evropës.
