Nga java e ardhshme, përmes një aplikacioni secili do të mund të kontrollojë nëse ka bërë kundërvajtje në komunikacion dhe ta paguajë gjobën online

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Pas shtetasve të huaj, edhe qytetarët e Maqedonisë do të mund të kontrollojnë online nëse kanë kryer kundërvajtje. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, paralajmëroi se aplikacioni do të fillojë të funksionojë nga java e ardhshme.

“Është i njëjti aplikacion që tashmë është funksional për të huajt. Nga java e ardhshme, do të njoftojmë saktësisht se në cilën ditë, do ta lëshojmë aplikacionin që do t’u mundësojë qytetarëve maqedonas që shumë më lehtë të shohin nëse kanë kryer kundërvajtje, ku e kanë kryer atë, t’i shohin dëshmitë dhe, nëse kanë ndonjë gjobë, ta shlyejnë atë në mënyrën përkatëse. Të lehtësojmë të gjithë mënyrën e komunikimit, sepse jemi në shekullin XXI, ka aplikacione për gjithçka. Mendoj se është mirë që do të ketë edhe për këtë”, tha ministri Toshkovski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e dytë kombëtare “Siguria në komunikacion në vetëqeverisjen lokale”, në organizim të Këshillit Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor.

Shoferët do të kenë detyrim ta instalojnë aplikacionin në telefonat celularë dhe të regjistrohen.

“Secili, fjalë për fjalë secili mund të bëjë kundërvajtje. Edhe unë mund të bëj kundërvajtje në komunikacion”, tha ministri Toshkovski dhe i ftoi shoferët ta përdorin aplikacionin në jetën e përditshme.

Qyteti i ardhshëm ku do të fillojnë të funksionojnë kamerat e projektit “Qytet i Sigurt” është Strumica, ku ministri pret që sistemi të fillojë të funksionojë në gjysmën e parë të dhjetorit. Deri në fund të janarit pritet të vihet në funksion në Shtip, ndërsa deri në fund të shkurtit edhe në Manastir.

artikuj të ndërlidhura