Janevska: Janë përmbushur të gjitha objektivat e Agjendës Reformuese, RMV përfiton 19,2 milionë euro

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 nëntor, Zhurnal.mk – Përpjekjet për avancimin e arsimit dhe shkencës kanë marrë konfirmim nga organet më të larta të Bashkimit Evropian në Raportin për Progresin e Maqedonisë për vitin 2026, ndërsa me përmbushjen e të gjitha objektivave të parapara deri më tani nga Agjenda Reformuese, shteti përfiton kthim të mjeteve në buxhet në vlerë prej 19,2 milionë eurosh, njoftoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, në mbledhjen e 19-të të Grupit Sektorial të Punës për Arsim, Punësim dhe Politikë Sociale.

Në ngjarjen ku morën pjesë edhe ministrat Gjoko Velkovski dhe Besar Durmishi, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore, BE-së, organizatave ndërkombëtare dhe sektorit civil, Janevska theksoi se është forcuar korniza ligjore dhe strategjike përmes Strategjisë së re të Arsimit 2026-2032, formulave të reja të financimit, vendosjes së këshilltarëve për karrierë dhe zgjerimit të punës me një ndërrim dhe qendrave rajonale për arsim profesional, ku tani regjistrohen mbi 70 për qind e nxënësve të një gjenerate, me trajnim praktik në 1.000 kompani.

“Të gjitha objektivat e Agjendës Reformuese në pjesën e arsimit dhe shkencës, të parapara për periudhën deri më tani, janë përmbushur dhe për këtë arsye përfitojmë kthim të mjeteve në buxhetin shtetëror në vlerë prej 19,2 milionë eurosh. Kemi vepruar me përgjegjësi dhe kemi punuar me përkushtim, kështu që një pjesë e objektivave janë realizuar edhe para afatit”, tha Janevska.

Në pjesën e shkencës dhe digjitalizimit, ajo përmendi funksionimin e Agjencisë për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Sipërmarrësi INOVA, pjesëmarrjen në programet COST dhe “Horizont Evropa”, integrimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie dhe angazhimin rekord të 1.602 asistentëve arsimorë në arsimin fillor dhe për herë të parë 190 në arsimin e mesëm.

Megjithatë, në fund ajo paralajmëroi për nevojën urgjente të miratimit të projektligjeve të reja për arsimin e lartë dhe shkencën, të cilat kanë mbetur të bllokuara në Kuvend.

artikuj të ndërlidhura