Kumanovë, 28 nëntor Zhurnal.mk – Në ditën e shënimit të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar, kanë nisur punimet për rikonstruimin e objektit të shkollës fillore periferike “Braqa Ribar”, në fshatin Sopot të Kumanovës.
Kjo nismë është ndërmarrë falë angazhimit të Lëvizjes “Te Berza” nga Kërçova, e cila ka vendosur të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të mësimit për nxënësit e kësaj shkolle.
Gjendja e rëndë infrastrukturore e objektit shkollor, ku nxënësit zhvillonin procesin edukativo-arsimor në kushte tejet të vështira, pa kushtet elementare për mësim, ka qenë arsyeja kryesore që ka nxitur këtë lëvizje të ndërmarrë një hap konkret për rikonstruimin e shkollës.
“Jemi krenarë për këtë fshat dhe kjo është minimumi se çka mundemi ne, duke pasur parasysh historinë e këtij vendi, duke pasur parasysh vuajtjen e këtij vendi, siç e thashë edhe më herët, se përgjegjës ndoshta jemi shumë pak për të kaluarën, por përgjegjësinë më të madhe e kemi për të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe këto fëmijë janë, kanë nevojë për të pasur një arsim cilësor, për të ëndërruar dhe për të realizuar ato ëndrra dhe ne duhet të gjithë së bashku, shqiptarët që jemi, të angazhohemi dhe të japim një kontribut. Kjo për Sopotin është shumë pak, jemi të vetëdijshëm se nuk është diçka e madhe, por sadopak që këto kushte për fëmijët tanë të jenë të mundësuar që të kenë mbarën arsimin cilësor.”, theksoi mes tjerash, Shkodran Alili nga Lëvizja “Te Berza” – Kërçovë.
“Unë e falënderoj përzemërsisht Shkodranin, edhe ekipin e tij, për ndihmën që na e kanë ofruar për shkollën, se shkolla me të vërtetë nuk ka pasur kushte për msim. Kushtet janë të mjerueshme, po në të ardhmen fëmijët, fëmijët e Sopotit do të shohin pak kushte më ndryshe se si më parë.”, u shpreh, Shaban Limani.
Sipas donatorëve dhe kompanisë që po realizon punimet, projekti pritet të përfundojë brenda një afati rekord prej vetëm 10 ditësh. Kjo nismë përbën një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e kushteve arsimore dhe një shembull të solidaritetit e përgjegjësisë shoqërore, duke dëshmuar se angazhimi konkret mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në jetën e komunitetit.
Nisja e punimeve pikërisht më 28 Nëntor i jep kësaj nisme edhe një simbolikë të veçantë, duke e shënuar Ditën e Flamurit me një vepër konkrete në shërbim të arsimit dhe të gjeneratave të reja.
