Athinë, 29 nëntor Zhurnal.mk – Greqia po përballet me një valë të re të migracionit të paligjshëm, veçanërisht në ishullin e Kretës, ku gjatë 48 orëve të fundit janë shpëtuar rreth 1.000 persona, ndërsa qindra të tjerë kanë mbërritur me varka nga brigjet e Libisë.
Ministri grek i Migracionit, Thanos Plevris, e ka cilësuar këtë periudhë si më të vështirën e këtij viti sa i përket numrit të migrantëve që po mbërrijnë në vend.
Vetëm gjatë ditës së sotme janë shpëtuar 190 persona nga tri varka, të cilat ishin zbuluar pranë Kretës nga dronët e Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex. Të shpëtuarit janë transportuar në portet e Kalo Limenes dhe Ierapetrës.
Ndërkohë, në ishull aktualisht ndodhen rreth 2.500 migrantë, duke tejkaluar kapacitetet lokale të akomodimit. Qindra prej tyre janë transportuar me autobusë drejt portit të Heraklionit, ku një pjesë kanë mbetur në ambiente të hapura, pasi qendra e përkohshme e pritjes është mbushur plot.
Autoritetet greke kanë paralajmëruar se javën e ardhshme do të dërgojnë një anije për transferimin e rregullt të migrantëve drejt qendrave të pritjes në pjesën kontinentale të vendit.
Gjatë viteve të fundit është shënuar rritje e numrit të migrantëve që mbërrijnë në Greqi nga Libia. Në mesin e tyre dominojnë shtetasit e Bangladeshit, si dhe persona që largohen nga konfliktet e armatosura në Sudan.
Situata është shoqëruar edhe me viktima. Në bregdetin shkëmbor të ishullit Gavdos, pranë Kretës, dje janë gjetur trupat e pajetë të dy migrantëve.
Ndërkohë, Greqia këtë vit ka intensifikuar kthimin e personave të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil. Së bashku me katër shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, autoritetet greke planifikojnë që nga viti i ardhshëm një pjesë të tyre t’i dërgojnë në një qendër deportimi në Ruandë.
