BDI: Të identifikohen dhe të ndëshkohen menjëherë komitët që rrahën brutalisht dy punonjës shqiptarë të Higjienës Komunale!

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër sulmin fizik ndaj dy punonjësve shqiptarë të Higjienës Komunale në Shkup, të cilët natën e 28 Nëntorit u rrahën brutalisht nga një grup personash që vetë u identifikuan si komitë.

Fakti se sulmuesit fillimisht i pyetën punonjësit nëse janë shqiptarë dhe më pas i sulmuan, ndërkohë që ata mbanin uniformat e punës, ngre dyshime serioze për motivim etnik.

Kjo është e papranueshme në një shtet multietnik, ku siguria dhe barazia duhet të vlejnë për të gjithë qytetarët, pa dallim.

BDI kërkon nga zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, dhe ministri i punëve të brendshme Pançe Toshkovski, përgjegjësi institucionale, hetim të plotë, identifikimin e të gjithë sulmuesve dhe ndëshkimin e tyre.

Kërkojmë:

•⁠ ⁠Identifikimin e plotë të të gjithë pjesëtarëve të grupit që morrën pjesë në sulm;
•⁠ ⁠Hetim të plotë dhe profesional për motivet e sulmit, përfshirë dyshimet për motivim etnik;
•⁠ ⁠Ngritjen e procedurave përkatëse dhe ndëshkimin e të gjithë përgjegjësve;
•⁠ ⁠Sqarim publik se çfarë masash ka ndërmarrë dhe po ndërmerr MPB-ja për të garantuar sigurinë e qytetarëve

Shqiptarët nuk duhet të kenë frikë të punojnë, të jetojnë dhe të lëvizin të sigurt në kryeqytetin e vendit të tyre!

artikuj të ndërlidhura